Parlamenti i Kosovës miraton ligjin për Gjykatën e Posaçme

514
Me 73 vota pro, parlamenti i Kosovës miratoi në parim ligjin për Gjykatën e Posaçme. Miratimi në parim, pa praninë e opozitës që bojkotoi punimet e parlamentit, pasoi miratimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë. Ligji për Gjykatën e Posaçme është hartuar nga BE, duke përfshirë disa nga ndryshimet e kërkuara nga Prishtina e që kishin të bënin me formulime ku ishte përfshirë edhe fjala gjenocid. Por, autoritetet e Kosovën nuk kanë pasur mundësi të ndërhyjnë më shumë në tekstin e ligjit. Parlamenti miratoi në parim edhe projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore në Gjykatën e Posaçme. Të hënën parlamenti i Kosovës, miratoi me 82 vota ndryshimet kushtetuese për ngritjen e Gjykatës së Posaçme. Rivotimi i së hënës pasoi dështimin e parlamentit për të miratuar këto ndryshime më 26 qershor. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese u përshkua me debat të ashpër dhe thirrje të opozitës kundër kësaj gjykate. Madje në disa raste debatet morën edhe ngjyrime personale ndërmjet deputetëve. Qeveria e Kosovës u tha deputetëve se miratimi i ndryshimeve kushtetuese është një hap me rëndësi të posaçme për Kosovën në procesin e përmbushjes së detyrimeve kundrejt partnerëve ndërkombëtarë.

 Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për, miratoi themelimin e gjykatës së posaçme. Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të KE Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999. Opozita fillimisht hodhi një propozim për miratimin e një rezolute për dënimin e krimeve të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998 -1999, përkatësisht siç thuhet gjenocidin që ka ushtruar Serbia në Kosovë, por nuk siguroi votat e mjaftueshme që kjo çështje të futet si pikë e parë e rendit të ditës për sot. Udhëheqësit e opozitës thanë se nuk janë kundër një gjykate për krime lufte, por për një gjykatë gjithëpërfshirëse, ndërsa theksuan se ri votimi e dëmton rëndë demokracinë në vend. Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën. Ata thonë po ashtu se dështimi i Kosovës për të ngritur gjykatën mund të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të jetë e dëmshme për shtetin e ri.
Sigal