Sigal

Papa Françesku është shprehur nga Irlanda se prindërit e fëmijëve homoseksualë duhet të kërkojnë ndihmë tek mjekët psikiatër për këta të fundit.

Papa ka thënë se prindërit nuk duhet t’i “dënojnë” fëmijët me tendenca të tilla.

Ati i Shenjtë ka rënë në kontradiktë me qëndrimin e tij të mëparshëm ndaj homoseksualëve.

Kur u pyet para disa kohësh se çfarë do t’u thoshte prindërve, fëmijët e të cilëve shfaqnin tendenca homoseksuale, ai u shpreh: “Unë do të thosha, para së gjithash, të lutemi, të mos dënojmë, të bisedojmë, të kuptojmë, t’i japim hapësirë djalit ose vajzës. Të injoruarit është një gabim i atësisë ose mëmësisë”.

Madje, Papa mori edhe lëvdata në maj të këtij viti, kur i tha një homoseksuali të abuzuar seksualisht në Kili që “Perëndia të bëri të tillë”.

Papa Françesku ka folur gjithashtu edhe në shërbesën e tij për homoseksualët dhe transeksualët, duke këmbëngulur se ata janë fëmijë të Perëndisë, të dashur nga Perëndia dhe që meritojnë shërbesën e kishës.

Që nga ardhja e tij në vitin 2013 në krye të kishës katolike, Papa Françesku është konsideruar më tolerant në këtë drejtim sesa paraardhësit e tij.

Papa Benedikti XVI ndiqte një linjë më konservatore, duke bërë thirrje për “përpjekje të ndërgjegjshme”, për të kundërshtuar martesat brenda së njëjtës gjini.