Paketa e masave shtrënguese votohet me protestave e bombave molotov

477
Parlamenti grek ka votuar paketën e masave të reja shtrënguese, duke hapur në këtë mënyrë rrugën për çlirimin fondeve të akorduara nga kreditorët ndërkombëtarë. Paketa mori votat e 153 deputetëve të koalicionit qeveritar.

Gjithë partitë e opozitës votuan “kundër”, me përjashtim të një neni që u ofronte lehtësira tatimore deputetëve.
Proçesi i votimit përfundoi afër mesnatës, ndërsa jashtë parlamentit vazhdonin protestat kundër masave të reja.

Protestuesit sulmuan me bomba molotov dhe me gurë trupat e policisë, ndërsa rreth 30 persona tentuan të futeshin në oborrin e parlamentit. Policia përdori gaz lotsjellës dhe bomba zhurmuese për të sprapsur protestuesit.

Një person u arrestua, ndërsa u kryen dhe dy shoqërime.

Megjithatë një nga kabinat e njohura të rojeve të gardës para parlamentit, u përfshi nga flakët.

Incidentet filluan në kohën që para deputetëve po fliste kryeministri Aleksis Tsipras.

Në përpjekje për të bindur deputetët që të votonin, Kryeministri e konsumoi pjesën më të madhe të fjalimit të tij me përshkrimin e planit të qeverisë për nxjerrjen e vendit nga kriza.

“Po hyjmë në një fazë të re, që kërkon plan. Ky plan mbështetet në shtimin e investimeve, në shfrytëzimin e potencialeve njerëzore dhe në ndërhyrjet demokratike që ka nevojë shoqëria”, theksoi Tsipras.

Kryeministri grek insistoi se marrëveshja e arritur javët e fundit me kreditorët ofron një mënyrë për të dalë nga kriza.
Sigal