Osmani fajëson ish-kryeministrat për marrëveshje të dëmshme

207
Sigal

Ish-kryeministra të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Osmani, duke folur në prag të takimit që do të ketë me të dërguarit e posaçëm të SHBA dhe BE, tha se propozimet për të cilat po përflitet, për autonomi të zgjeruar apo Asociacion të komunave serbe me kompetenca të ekzekutive, nuk i janë prezantuar institucioneve të Kosovës.

“Unë dua ta qartësoj qysh tani se propozimet për të cilat po përflitet për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj Asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk i janë prezantuar palës sonë, pra institucioneve të republikës së Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

“Ajo që është problemi i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme të cilat Asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Pra duhet ta themi një realitet që është, sepse është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar nga ish-kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë”, u shpreh ajo.

Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak nisin sot vizitën pesëditore në Kosovë. Nga diplomatët e lartë priten mesazhe për dialogun me Serbinë dhe Asociacionin e komunave serbe në Kosovë.

Mesazhet kryesore të tyre për institucionet në Kosovë pritet të jenë rifillimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të kaluara me Serbinë, përfshirë Asociacionin.

Presidentja Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të mos lejojnë zbatimin e modeleve që do ta bënin këtë shtet jofunksional.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar takimin me dy zyrtarët, mirëpo nuk është deklaruar rreth raportimeve për Asociacionin.

“Besoj që pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë që të japim komentet tona”, ka thënë ai.

Bashkimi Evropian vazhdimisht bën thirrje që Asociacioni të krijohet, duke thënë se “është obligim i Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit”, por Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se nuk mund të ketë asociacion me bazë një-etnike.