Organizata terroriste fantazmë trazon gjyqësorin kosovar

462
Përkundër dënimit në Prishtinë ndaj dy të pandehurve për pjesëmarrje në një grup të supozuar terrorist në Siri, të quajtur ‘Harausham’, asnjë institucion nuk mundi të japë prova për ekzistencën e tij. Një i pandehur tha se nuk ka ide se ku e gjeti prokuroria këtë organizatë.
Rasti i dy kosovarëve të dënuar për vepra që lidhen me terrorizmin, pasi që u deklaruan fajtorë më herët gjatë këtij viti, mund të mos ketë përfunduar ende
Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli janë dënuar secili me nga tre vjet e gjysmë burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar pasi që u shpallën fajtorë për ‘pjesëmarrje dhe organizim në grup terrorist’. Të dy u arrestuan në shtator 2014 nën dyshimin që në nëntor 2013 – korrik 2014, i janë bashkuar një organizate të quajtur ‘Harausham’, e cila supozohet që është e lidhur me grupin militant Al Nusra në Siri.
Por, një hulumtim i BIRN zbuloi që ‘Harausham’, grupi në të cilin Livoreka dhe Behluli supozohet të ishin anëtarë, mund të ekzistojë vetëm në aktakuzën e prokurorisë dhe në dokumentet e ndërlidhura gjyqësore. ‘Harausham’ nuk shfaqet në kërkimet e detajuara të listave zyrtare të grupeve që luftojnë në Siri dhe Irak. Deklaratat e të dyshuarve të përmendura në dokumentet gjyqësore janë të vetmet dëshmi direkte për ekzistencën e organizatës.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale, të cilën BIRN e ka siguruar, i referohet ‘Harausham’ dhe thotë që ky grup luftues është nën kontrollin e Al Nusra. Aktakuza në vazhdim shkruan se të pandehurit vendosën të largohen nga kjo organizatë dhe u kthyen në Kosovë pasi që ISIS kërkoi të merrte kontrollin e grupit. Por, dokumenti i përpiluar nga Kryeprokurori Special Reshat Millaku nuk përmban asnjë provë të ekzistencës së ‘Harausham’, dhe as nuk jep detaje për lidhjen e saj të supozuar me Al Nusra.
Millaku nuk pranoi të intervistohej nga BIRN në lidhje me këtë rast, dhe Zyra e Prokurorisë Speciale gjithashtu dështoi të jepte ndonjë shpjegim për këtë aktakuzë. Pyetjes së BIRN nëse mund të vërtetonin, ose nëse kanë ndonjë provë për ekzistencën e ‘Harausham’, Ekrem Lutfiu, zëdhënës nga Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme iu përgjigj duke thënë se prova ishte në deklaratat e të dyshuarve. “Grupi, organizata ‘Harausham’, sipas deklaratave të të pandehurve, është grup që vepron në kuadër të organizatës terroriste Al Nusra”, tha Lutfiu. Lutfiu nuk ofroi asnjë provë mbështetëse përpos asaj që ishte tashmë e shkruar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale. Grupi shfaqet në kërkime online, por vetëm nga referencat e aktakuzës së prokurorisë të cilat janë përfshirë në artikujt e BIRN për këtë gjykim në shqip dhe anglisht.
BIRN 
Sigal