Opozita ngre çadrat, Zaev: Nuk ikim pa dorëheqjen e Gruevskit

550
SHKUP – Opozita maqedonase është e vendosur për të larguar nga pushteti kryeministrin Nikolla Gruevski. Pas tubimit më masiv në Maqedoni të mijëra protestuesve multietnikë që kërkuan njëzëri dorëheqjen e Gryevskit, lideri i opozitës Zoran Zaev dhe përkrahësit e tij kanë kaluar natën në tenda në qiell të hapur para godinës së qeverisë. Kryetari i LSDM-së i cili organizoi protestën e së dielës që prej më shumë se 3 orësh e ktheu Shkupin në qendër të vëmendjen botërore, tha se qëndrimi para qeverisë do të vazhdojnë deri në dorëheqjen e Gruevskit, kryeministrit të Maqedonisë njëherësh kreu i partisë VMRO-DPMNE.
Në këtë protestë Zaev gëzon mbështetjen e të gjithë drejtuesve të tij, të cilët ashtu sikurse lideri ndenjën përkrah protestuesve gjatë natës.
I kthyer tashmë në faktor të rëndësishëm në politikën e tensionuar maqedonase pas publikimit të përgjimeve që implikonin kryeministrin në afera korruptive, Zaev tha të dielën në sheshin qendror të Shkupit se zgjidhja e vetme për krizën politike është formimi i qeverisë kalimtare dhe përgatitja e vendit për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Por kryeministri Nikolla Gruevski në reagimin e parë rreth 2 orë pas protestës, në një intervistë për një televizion proqeveritar këmbënguli se nuk do të japë dorëheqje dhe as nuk do të pranojë një qeveri kalimtare. Sipas tij, zgjidhja e krizës në Maqedoni duhet të vijë përmes rrugëve paqësore dhe jo me forma të dhunshme.
Kriza në Maqedoni u përshkallëzua edhe më tej edhe pas përleshjes së përgjakshme në Kumanovë mes policisë dhe një grupi të cilësuar nga autoritetet si terrorist, duke e kthyer “Lagjen e Trimave” të banuar nga shqiptarët në gërmadhë!
Protesta e së dielës gëzoi mbështetjen jo vetëm të partive të vogla opozitare dhe të qytetarëve të të gjitha etnike që jetojnë në shtetin fqinj, por edhe të ndërkombëtarë. Në reshtin e parë të protestuesve u radhitën edhe ish-kryeministri bullgar Sergej Stanishev si dhe dy eurodeputetë Knut Flekenshtajn e Richard Howitt, deputet i Parlamentit Evropian dhe ish-raportues për Maqedoninë. 
Sigal