Opinione mbi krizën, “Gjermania është problemi”, mediat amerikane kritikojnë Merkelin

503
Mediat amerikane raportojnë intensivisht mbi krizën greke dhe Gjermaninë. Në këtë raportim mbisundojnë zërat kritikë ndaj Gjermanisë. Por ka edhe opinione të tjera.
“Po e bën Merkeli Greqinë një shtet të izoluar?” pyet gazeta “Newsweek” me ashpërsi provokuese. Ndërkohë CNBC parashikon se “Gjermania do të jetë humbësi, jo Greqia.” Televizioni amerikan vazhdon parashikimin e errët me një fjali të nobelistit Joseph E. Stiglitz. “Gjermania është problemi, jo Greqia.” Zërat kritikë ndaj Gjermanisë janë rritur me ashpërsimin e krizës greke. “Pushteti gjerman polarizon Europën” titullon gazeta me influencë “Wall Street Journal” të martën (07.07) dhe citon një fjali të kritikut të politikave të kursimit, spanjollin Pablo Iglesias. “Ne nuk duam të jemi koloni e Gjermanisë.”
Ndërsa Paul Krugman, kolumnisit i njohur i majtë i “New York Times” kërkon në në koment dramatik “Ndaloni gjakderdhjen!” Ai e krahason Merkelin dhe pushtetarë të tjerë europianë me mjekët e kohës së mesjetës që pacientin Greqi për shërim i marrin gjakun. Por në vend të shërimit vazhdon kriza. Në blogun financiar “Zero Hedge” ku analizohen zhvillimet në bursë, Merkelit i kujtohen marrëveshjet e Versajës. Bëhet fjalë për hegjemoninë gjermane, lexohet aty.
Fajtori dhe qengji i pafajshëm
Po mbushen mediat amerikane me artikuj antigjermanë? Është vërtet Angela Merkel fajtorja dhe Greqia- qengji i pafajshëm? Eksperti i ekonomisë nga Uashingtoni dhe njohësi i Europës, Jacob Kirkegaard nuk mendon kështu. “Opinionistët e majtë si Joseph Stiglitz apo Paul Krugman dihet që kanë një pozicion shumë antigjerman”, pranon ai në bisedë me Deutsche Welle-n. Por për ta kriza greke është “një luftë zëvendësuese” për debatin e brendshëm politik për politikën e duhur ekonomike në SHBA, ku të që të dy këta kërkojnë fort rritjen e konsumit dhe kërkesës.
Kirkegaard thekson se ka edhe qëndrime të tjera. Njëri prej tyre është Charles Krauthammer, kolumnist në gazetën “Washington Post” dhe një ekspert i ftuar shpesh në televizionon konservator, “Fox News”. “Greqia thith sisët e gjermanëve”. Për të grekët janë si djemtë e paedukuar që nxjerrin rregullisht para me kartën e kreditit të babait dhe blejnë artikuj të parëndësishëm në vend që të investojnë për të ardhmen e tyre. Në mënyrë më të balancuar argumenton “Washington Post.” Vërtet që ajo konstaton një “përgjegjësi të pjesshme të gjermanëve”, për krizën greke. Por më tej theksohet se “Gjermania me të drejtë mund të thotë se për shkak të Greqisë ka marrë përsipër rreziqe të mëdha financiare.”
Interesat strategjikë të Obamës
Presidenti amerikan Barack Obama është konsultuar së fundmi me kancelaren gjermane Angela Merkel në telefon për krizën greke. Në pozicionime zyrtare ai nuk bën kritika, por ministri amerikan i Financave, Jack Lew ishte më i qartë, kur tha se duhet bërë një falje e pjesshme e borxheve. Për qeverinë e Obamës është e rëndësishme që Greqia të mbetet në eurozonë dhe në BE e NATO. Në këtë pikë luajnë rol edhe interesat strategjikë të amerikanëve në plan afatgjatë dhe Rusia. Sipas Jacob Kirkegaard në Uashington ka një “lloj irritimi” që Merkeli dhe europianët nuk ia kanë dalë ta kenë nën kontroll krizën. Por nëse Obama e vlerëson rolin lider të gjermanëve në Europë, në Uashington ka edhe një kamp tjetër. “Disa në SHBA nuk janë të lumtur me rolin dominues të Gjermanisë, sepse ata preferojnë që Europa të jetë e dobët dhe e paunifikuar”, thekson njohësi i Europës.
Merkeli në dilemë
Shumë media amerikane theksojnë se Merkel vërtet është gruaja më e fuqishme e Europës, por në të njëjtën kohë ajo ndodhet në dilemë: Nga njëra anë ajo që duhet që të mbajë BE-në dhe projektin europian në jetë, nga ana tjetër ajo nuk mund t’ia “shesë” më partisë së saj dhe gjermanëve lëshimet e reja financiare ndaj grekëve. Gazetat amerikane citojnë së fundmi shpesh sondazhet, sipas të cilave vetëm 10% e gjermanëve janë për lëshime të reja. Gazeta “Washington Post” përpiqet të shpjegojë qëndrimin refuzues të gjermanëve me shpjegimin se ata janë të orientuar nga rregullat dhe i mbajnë premtimet.
Sigal