Obama: Hiqni dorë nga Donald Trump, Hillary shumë e kualifikuar

457
Sigal

 Presidenti amerikan Barak Obama nxiti republikanët veteranë që të
tërheqin formalisht mbështetjen e tyre për Donald Trump si kandidat
presidencial. Gjatë një mitingu në favor të Hilari Klintonit, Obama tha se nuk
ka kuptim që të dënosh komentet e Trump, por ta mbështesësh atë në garën për
Shtëpinë e Bardhë.

Shumë
republikanë janë distancuar nga Trump pas publikimit të një videoje ku dëgjohet
miliarderi njujorkez të bëjë komente ofenduese për femrat. Gjatë fushatës në
Karolinën e Veriut, Obama hodhi dyshime se si ende ka veteranë mes
republikanëve që mbështesin kandidatin Trump.
 

“Kemi shumë njerëz që thonë se nuk janë dakord dhe se
nuk pranojnë fjalët e tij, por ende e mbështesin. Ata mendojnë se ai duhet të
jetë president dhe kjo nuk ka kuptim për mua”, deklaroi Obama.
 

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se komentet e fundit për
femrat e skualifikojnë Trumpin edhe nga punët më të thjeshta e jo më nga posti
i presidentit. Obama tha se nuk duhet të jesh baba apo bashkëshort që të
kuptosh se fjalët e tij nuk janë të drejta, mjafton që të jesh një njeri i
mirë. Ai gjithashtu shtoi se në zgjedhjet e nëntorit, amerikanët kanë mundësinë
të zgjedhin mes një personi të kualifikuar si Hilari Klinton dhe një njeriu si
Trump që nuk ka temperamentin, gjykimin apo njohuritë për të drejtuar SHBA,
madje nuk shfaq as dëshirën për t’i fituar këto veti.