“Nuk ka trajtim efikas pa përfshirë Ballkanin”, 21 mjekë shqiptarë në Europë i shkruajnë BE-së për vaksinat

195
Sigal

Shqipëria dhe asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të përjashtohet nga marrja e vaksinave kundër Covid-19.

Ky është mesazhi që Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë i ka përcjellë me anë të një letre të hapur Presidentes së Bashkimit Europian, Ursula Von Den Leyer, dhe ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Luigi soreca.

NOA

Letra është firmosur nga 21 mjekë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vendet të ndryshme të BE-së.

Për këtë çështje mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Meta- Dollenberg u shpreh në Euronews Albania se kjo letër është një apel ndaj Bashkimit Europian për politikën që po ndjek për procesin e vaksinimit.

“Kjo letër është faktikisht një apel ndaj politikës që po bën Bashkimi Europian, që vendet e pasura janë në rend të parë dhe vendet me të ardhura më të ulëta siç është Shqipëria, të jenë pothuajse në vendet e fundit. Kjo politikë në fillim u propagandua komplet ndryshe, pra u premtua që vaksina do të ishte për të gjithë, pa kufij gjeografikë, për sa i përket Evropës”, u shpreh ajo.

Mjekja theksoi se “ato premtime që BE dha në fillim të pandemisë duhet edhe që t’i mbajë”. Në lidhje me mutacionet e reja të koronavirusit zonja Meta-Dollenberg nënvizoi se kjo ishte diçka e pritshme.

“Vaksina është vërtetuar që është efikase për të gjithë variacionet gjenetike që mund të shfaqë COVID-19. Ky mutacion i ri është një rezultat natyral i procesit të pandemisë. Për mjekësinë evropiane nuk është një sfidë, por diçka e pritshme”, tha ajo.

Ajo sqaroi se personat që e kanë kaluar COVID-19 janë të rrezikuar nga mutacionet, por favori i tyre është e kalojnë virusin në mënyrë asimptomatike.

“Janë të rrezikuara nga variantet e COVID-19 sikundër edhe të tjerët. Favori i personave që e kanë kaluar atë, është që ata kanë një imunitet natyral dhe priren që ta kalojnë COVID në mënyrë asimptomatike”, përfundoi mjekja.

Aktualisht Shqipëria po operon vetëm me dozat e vaksinave Pfizer të marra dhuratë dhe është në pritje të Covax dhe të tjera doza Pfizer në muajin Shkurt.