Norvegjia do të ashpërsojë politikën e azilit

399
Norvegjia do të ashpërsojë politikën e saj të azilit, në një kohë kur ajo po pret një numër rekord kërkesash, njoftuan sot partitë politike në vend duke arritur një marrëveshje pothuajse unanime në këtë kuadër. Që prej fillimit të vitit, 29 000 persona, 2 500 prej të cilëve vetëm javën e fundit, kanë kërkuar azil në këtë vend me 5,2 milionë banorë. Në minorancë në Parlament, partitë në pushtet, konservatorët dhe e djathta populiste anti-imigracion, kanë arritur një marrëveshje me aleatët e tyre të qendrës dhe me opozitën laburiste në përpjekje për të penguar imigrantët e rinj.

Sipas këtij teksti, qeveria duhet të koordinojë ndihmat sociale të dhëna për azilkërkuesit me ato të vendeve fqinje me qëllim që ato të mos jenë shumë tërheqëse, të përshpejtojë trajtimin e disa dosjeve dhe të kthejë personat e refuzuar, të kufizojë aksesin për leje qëndrimi të përhershme dhe të ashpërsojë kushtet e rigrupimit familjar për ato që kanë të drejtë rezidence. Anëtar i hapësirës Schengen, por jo i Bashkimit Evropian, vendi skandinav kërkon gjithashtu, nëpërmjet medias, të dekurajojë imigrantët e rinj, veçanërisht ata që marrin rrugën nga Arktiku nëpërmjet Rusisë. Vende të tjera nordike po ndjekin të njëjtën linjë. Danimarka kryesisht ka një politikë shumë shtrënguese, ndërsa Finlanda dhe Suedia do të tregohen më pak bujare.
Sigal