“Norman Atlantic”, Prokuroria e Barit: Numri i të humburve në 18!

470
Sigal

BRINDISI – Në tragetin që u përfshi nga flakët mëngjesin e 28 dhjetorit 2014, “Norman Atlantic”, pranë brigjeve shqiptare, rezultojnë 18 persona të zhdukur, mes të cilëve 16 pasagjerë, dhe 2 klandestinë.

Është Prokuroria e Barit e cila ka arritur në këtë konkluzion, pas investigimeve të kryera në tragetin italian, në të cilin u përfol se numri i të zhdukurve nuk do të kalonte 15 persona.

Por nga hetimet e kryera nga ana e organit të akuzës së Barit, është bërë një rivlerësim i situatës, ku gjatë inspektimeve të kryera, ka rezultuar se janë gjithsej 18 persona të zhdukur, të cilët ishin pjesë e bordit të “Norman Atlantic”.

Në mesin e këtyre personave, siç bën të ditur Prokuroria e Barit, rezultojnë 16 pasagjerë, në mes të cilëve edhe dy shoferë italianë, të identifikuar si Carmine Balzano, nga Napoli, dhe Giuseppe Mancuso, nga Messina.

Po ashtu në mesin e personave të zhdukur rezultojnë edhe nëna e viktimës 15 vjeçare Racha Charif, me leje qëndrimi në Gjermani dhe e dyshuar me origjinë shqiptare. Po ashtu i zhdukur rezulton edhe i dashuri i viktimës turke Havise Savas, ndërsa dymbëdhjetë të zhdukurit tjerët mësohet se janë shtetas grekë dhe turqë.