Njëvjetori i sulmit terrorist në Orlando

532
Zyrtarët e qytetit të Orlandos duan që njëvjetori i sulmit në klubin Pulse të shënohet me akte dashurie dhe mirësie. 12 qershori zyrtarisht në Orlando është caktuar si Dita e Bashkimit për të përkujtuar sulmin ndaj komunitetit të homoseksualëve, në të cilin u vranë 49 vetë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Swicord, qyteti tregoi unitetin gjatë ceremonive të ndryshme këtë fundjavë në kujtim të tragjedisë.
Një vit pas sulmit më të madh ndaj komunitetit homoseksual në Shtetet e Bashkuara, në të cilin u vranë 49 vetë, qindra njërëz u mblodhën në një park të Orlandos për të marrë pjesë në një garë vrapimi në kujtim të viktimave.
Barbara Poma ishte pronare e klubit Pulse.
“Gjithçka ka ndryshuar nga viti i kaluar. Çdo gjë është ndryshe tani. Zemrat dhe jetët tona kanë ndryshuar përgjithmonë. Drejtimi i jetës ka ndryshuar.”
Në orën 2:00 të mëngjesit të 12 qershorit të vitit të kaluar, 29-vjeçari Omar Mateen hyri me armë në klubin Pulse dhe fillloi të qëllonte mbi klientët, duke vrarë 49 njerëz dhe duke plagosur 53 të tjerë. Mateen, i cili kishte një histori me probleme mendore, kishte deklaruar në internet mbështetjen ndaj Shtetit Islamik.
Dhuna e tmerrshme e asaj nate frikësoi të gjitha segmentet e shoqërisë në Orlando.
Pesëmbëdhjetë-vjeçarja Madeline Ward jetonte në anën tjetër të rrugës ku ndodhej klubi Pulse dhe kujton me ankth atë që ajo pa dhe dëgjoi në natën e sulmit.
“Vërtetë më hapi sytë duke më treguar se ne duhet t’i duam të gjithë sepse jemi një grup njerëzish të ndryshëm dhe të gjithë mund të jemi të ndryshëm, por të gjithë jemi të njëjtë në atë se ne të gjithë jemi qenie njerëzore dhe duhet të respektojmë njëri-tjetrin pavarësisht se kë dashurojmë”.
Një vit më pas, Orlando është bërë një komunitet i bashkuar. Në një nga ceremonitë përkujtimore mori pjesë një kor homoseksualësh, një grup i larmishëm që i nderoi viktimat.
Dan Jones thotë se kori donte të ndante një mesazh dashurie dhe uniteti me të gjithë.
“Autori i sulmit u përpoq të shkatërronte komunitetin LGBT. Por, veprimi i tij bashkoi komunitetin LGBT dhe ndërtoi ura me komunitete të tjera, me të cilat nuk kemi patur bashkëpunim”.
Ky bashkëpunim u shfaq gjatë ngjarjeve të javës së kaluar.
Të shtunën e kaluar, kompania “Go Big Tees” ofroi falas bluza, ushqime dhe përqafime në mbështetje të komunitetit LGBT. Qindra vetë morën pjesë në aktivetet e organizuara nga kjo kompani.
Pronarja e kompanisë Hannah Zuk thotë se synimi i aktiviteti ishte shfaqja e dashurisë dhe mbështetja për të gjithë njerëzit e ndikuar nga tragjedia.
“Unë mendoj se komuniteti ynë së bashku është rritur më shumë, dhe mënyra se si të gjithë janë bashkuar dhe kanë mbështetur njëri-tjetrin në procesin e shërimit ka qenë një gjë shumë e bukur”.
Klubi Pulse nuk u rihap pas tragjedisë. Sot ai është një memorial për viktimat, një vend ku njerëzit mund të ndalojnë për të ndarë një kujtimet dhe për të reflektuar.
“Është një unazë që motra ime bleu për ditëlindjen time”.
Mary Kelly dhe Taylor Caldwell kanë ardhur këtu për të kujtuar familjarët dhe miqtë e tyre.
“Kemi ardhur këtu sot, të paktën nga këndvështrimi im, për të mbështetur komunitetin LGBT. Edhe sikur të mos isha pjesë e këtij komuniteti, unë përsëri do të vija këtu sepse kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë kurrë.”
“Po, dashuria pushton gjithëçka”, thotë Mary Kelly.
“Po, dhe unë mendoj se numri i madh i njerëzve që kemi tërhequr këtu thjesht e demonstron këtë”, thotë Taylor Caldwell.
Sigal