Në Turqi po armatosen xhamitë dhe partia e Erdoganit AKP*

488
Sigal

Nga Javuz Bajdar

Aktualisht nuk
më ndihmon leximi i librave të historisë. Përkundrazi: është e tmerrshme.
Presidenti turk së fundi tregoi muskujt dhe i vuri në dyshim kufijtë aktualë të
Turqisë si dhe vlefshmërinë e Marrëveshjes së Lozanës nga viti 1924. Mediat
turke menjëherë ia filluan të botojnë harta të reja, ku Mosuli dhe verilindja e
Greqisë prezantohen si pjesë të perandorisë së madhe turke.

Këtu shihen
paralele me hidhërimin gjerman mbi Marrëveshjen e Paqes të Versailles
(Versajës) dhe ngritjen e nacionalizmit agresiv dhe të etur për luftë. I
tmerruar e kam lexuar librin e William Sheridan Allen «Këtë nuk e kemi dashur»,
një studim mikroskopik mbi qytetin Northeim dhe zhvillimin e tij
nacionalsocialist deri në Luftën e Dytë Botërore. Për mua është tepër e
frikshme se sa shpejt atëbotë filloi tmerri.

Kryetarët e
shteteve evropiane dhe Komisioni i BE-së mbase nuk duan ta pranojnë, shumë prej
tyre mbase edhe janë të verbuar nga iluzioni i politikes reale. Por realiteti
në Turqi është me plot sinjale shqetësuese, të cilat po shtohen për çdo ditë.
Irredentizmin që ëndërron perandorinë e madhe të një populli përtej kufijve të
sotëm, mund të përhapet vetëm ngadalë; por duhet të kemi parasysh sidomos një
zhvillim tjetër aktual: paralajmërimin e armatosjes masive të partisë qeveritare
AKP.

Pak ditë pas
grushtit të shtetit të dështuar më 15 korrik u bë plani që partia të shndërrohet
në forca të armatosura. Me sloganin «Kurrë më!» disa funksionarë deklaruan, se
armatosja e qytetarëve është e domosdoshme për të penguar përpjekje të tjera
për puç. Mes tyre ishte Sheref Malkoç, një këshilltar i rëndësishëm i
presidentit Erdogan. Ai paralajmëroi, se «armë të regjisruara» do t’u shpërndahen
qytetarëve.

Organizata
pothuaj paraushtarake «Uniteti Osman 1453», emri i së cilës i referohet datës
së pushtimit të Konstantinopojës, shpejt deklaroi përkrahjen e saj, pasi në
rrjetet sociale ishte shfaqur hashtagu #AKSilalanma (armatosja e AK). Prijësi i
saj Emin Canpolat shkroi: «Kjo është një thirrje për të gjithë vëllezërit.
Armatosuni për atdhe, për flamur dhe për Erdoganin» dhe shtoi: «Do të vdesin
dhe do të vrasim për Erdoganin». Hashtagu u shpërnda shpejt. Në rrjet u tha:
«Jemi të gatshëm edhe gjak të derdhim. Synimi ynë i shenjtë është të vdesim si
martirë».

Uniteti Osman
është një organizatë mjaft e re. E themeluar më 2009, ajo u bë e njohur kur
sulmoi redaksinë e gazetës së përditshme «Hürriyet» pas zgjedhjeve të 7
qershorit 2015 dhe e shkatërroi. Synimet e veta ajo i proklamon qartë: «Rritjen
e gjeneratave fetare; ringjalljen e stilit të jetës të orientuar në Kurani;
angazhimin për rikthimin e Kalifatit; hapjen e Hagia Sofisë si xhami» dhe
kështu me radhë.

Gazetarët
proqeveritarë po e përkrahin me zell këtë trend. Abdullah Shanlida, kolumnist i
së përditshmes antisemite dhe antiperëndimore “Yeni Akti”, shkruan: «Mos kini
frikë nga ky shtet! Sepse ai e di saktë se kush duhet të vritet».

Këto tirada
urrejtëse dhe publike nuk janë vetëm shpërthime çasti, që tregojnë për një
huliganizëm të ri politik. Para pak ditësh ato u futën në retorikën zyrtare dhe
u shndërruan në premtim të AKP-së.

Në një tubim të
madh të partisë qeveritare në qytetin anadollak Afyon ministri i sapo emëruar i
punëve të brendshme Sylejman Sojlu tha: «Ne do ta shpëtojmë çdo funksionar të
partisë sonë. Do të angazhojmë truproje për ta dhe do të kujdesemi që të
mbrohen me armë të gjata». Ai iu referua sulmeve të shtuara kundër politikanëve
lokalë të AKP-së në krahinat kryesisht kurde në lindje dhe juglindje të vendit
ku së fundi u plagosën apo vranë disa funksionarë.

Ku mund të çojë
kjo armatosje e dyanshme në një rajon të tensionuar? Njoftimet zyrtare
konfirmojnë se trendi i filluar nga AKP po zgjerohet. Erdogan Bektash,
guvernator i qytetit Rize në verilindje të Detit të Zi, tha se një numër i madh
i armëve të regjistruara u janë dhënë «donatorëve». Ai e krahason mandatin e
tij me punën si guvernator në qytetin Manisa në Detin Egje: «Këtu brenda tre
muajsh kam dorëzuar pesë herë më shumë armë se në Manisa para dy viteve». Ai
tha se u dorëzonte personalisht armë qytetarëve «në rast se do të ketë një
përpjekje të re për grusht shteti».

Qëndrimet e
tilla shpalosin një model që po vërehet në mbarë vendin. Gazeta «Cumhuriyet»
raportoi së fundi se qeveria po planifikon një ligj të ri të emergjencës, i
cili mundëson edhe regjistrimin e armëve në nivel lokal. Por jo vetëm kaq. Edhe
më i bujshëm është lajmi se presidiumi i çështjeve fetare (Diyanet), autoriteti
më i lartë islamik i vendit, i cili me gjasë ka marrë funksionin mbrojtës të
ushtrisë, tani ka deklaruar se ka krijuar «njësi të të rinjve» në xhamitë e
vendit. Jashar Ji-it, njëri nga përfaqësuesit ë të lartë të Diyanetit ka
paralajmëruar këtë. «Në 45 mijë prej 85 mijë xhamive duam të krijojmë njësi të
rinisë. Në dashtë zoti, deri në vini 2012 do të kemi 20 mijë të tilla».

Pa marrë parasysh
si shikohet kjo, modeli është i qartë. Gazetat e pavarura si «Cumhuriyet»
raportojnë se pjesa më e madhe e tregut privat të sigurisë është e lidhur me
AKP-në. Përgatitjet për armatosjen e qytetarëve besnikë të AKP-së dhe
politizimi i rrjetit të xhamive deri në nivelin më të ulët janë shqetësuese.
Edhe më keq: presidenti Erdogan po kontakton bajraktarët e katundeve dhe po u
bën thirrje të lajmërojnë për çdo aktivitet «subversiv». Para dy ditësh ai foli
para qindra njerëzve: «Tani unë jam i pari i katundit dhe i kontrolloj të
gjitha».

Edhe më i thellë
është polarizimi dhe përçarja sociale pas 15 korrikut. Turqia gjendet para
luftës civile. Një koleg së fundi pyeti me përzemërsi në «Cumhuriyet»: «A është
gabim të supozohet se AKP po e themelon ushtrinë e vet?» Me këtë frikë ai nuk
është i vetmuar. Xhelal Ylgen, një avokat i njohur, tha: «Çfarë do të bënte
vaki, nëse dikush tani do të kërkonte armatosjen e Kemal Kiliçdarolu, shefin e
partisë opozitare CHP? Ku do te shpinte kjo? Thirrja për armatosje është
thirrje për luftë civile. Hajdutët po defilojnë për çdo ditë nëpër rrugë. A do
ta marrin këta njerëz vendin nën kontroll, nëse zgjedhjet nuk do të sjellin
rezultatin e ‘dëshiruar’?»

Edhe një
informatë e fundit: një anketë e OECD-së tregon se 35 për qind e të rinjve turq
mes moshës 15 dhe 29 vjeçare janë keq të arsimuar dhe të papunë – një nivel i
ulët historik.

 

Javuz Bajdar është gazetar turk dhe
themelues i platformës së pavarur mediale P24 si edhe bloger për “Huffington Post”.
Për punën e tij ai në vitin 2014 është shpërblyer me European Press Prize.

*Ky teskt është
botuar në «Süddeutsche Zeitung».