Në pritje të marrëveshjes, BBC: Dy zgjidhje të vështira për Greqinë dhe BE

471
Pas referendumit të së dielës ku grekët refuzuan masat e tjera shtërnguese të kreditorëve, bankat në Greqi nuk u hapën as të hënën, në pritje të një marrëveshje të premtuar nga kryeministri Tsipras.
BBC ka analizuar situatën e re të krijuar në shtetin helen, duke e nisur me lëvizjen surprizë të Ministrit të Financave Janis Varufakis.
Krerët e bankave greke u takuan me drejtuesit e Bankës Qendrore menjëherë pas referendumit dhe prisnin që në takim Ministri Varufakis ti njihte me planin e masave që do ti shpëtonte nga kolapsi.
Por në mëngjes bankierët mësuan se ai nuk ishte më Ministër i Financave të Greqisë. Në mbledhjen që u bë pa praninë e tij, bankat greke u detyruan të vijonin të mbanin të mbyllura dyert edhe për një tjetër ditë.
Por BBC analizon se shumë shpejt bankat do të mbeten pa para dhe gjithçka do të varet nga vendimi që do të marrë Banka Qendore Europiane për ngrirjen, shkurtimin apo rritjen e asistencës së likuiditetit.
Por një vendim, cilidoqoftë, do të merret pas takimit të liderëve të Eurozonës ku do të shihet nëse një marrëvshje e pranueshme nga palët është apo jo e mundshme.
Dhe për BBC, fati i Greqisë siç ka ndodhur deri tani, është në dorën e kancelares gjermane Angela Merkel dhe kolegëve të saj të BE-së.
Nëse liderët e BE vendosin të bëjnë disa hapa prapa dhe të lëshojnë pak dorën me Greqinë, kostot do të jenë të mëdha. Portugalia dhe Irlanda nuk do ta prisnin mirë, pasi qendrimi ndaj tyre ka qenë shumë ndryshe.
Por një tërheqje e Merkel, nuk do të pritej mirë edhe nga vetë gjermanët, të cilët nuk do ta mirëkuptonin se pse lëshimet do të bëheshin pikërisht tani që grekët votuan kundër masave të BE-së.
Por përballë kësaj situate, Merkel mund të mbrohet me faktin se anëtarësimi në euro është i përjetshëm dhe do të mbronte Bankën Qendore nga humbja e rreth 140 miliard eurove të huazuara në Greqi.
Ndërkohë edhe dalja e Greqisë me një monedhë të re do të sillte nga ana tjetër humbje të mëdha, pasi do të duhej shumë kohë derisa greqia të rifitonte besimin në tregjet ndërkombëtare, kohë që po skadon dhe Greqia do përballej me falimentin.
Sipas bankierëve grekë, për të ndihmuar monedhën e re greke të fitojë besimin sa më shpejt, FMN dhe Eurozona do të duhej ti ofronin Greqisë një shumë prej 25 miliardë eurosh, një faturë shumë e kripur për kreditoret.
Dy rrugët që analizon BBC, rezultojnë të vështira: Qendrimi në zonën euro e Greqisë do ti kushtonte shtrenjtë si Greqisë ashtu edhe BE-së, por edhe dalja nga euro, do të ishte shumë e kushtueshme si për Greqinë ashtu edhe për Eurozonën.
Dhe sipas BBC, në një kohë kur sistemi bankar grek po shkon drejt kolapsit total, liderët e BE-së kanë vetëm pak orë kohë për të vendosur se cilën nga këto dy fatura të kripura do të preferonin të paguanin.
Sigal