Ndalimi i emigranteve – Pyetjet e vështira të Gjykatës së Apelit për urdhrin e Trump

513
Gjykata e Apelit në SHBA e cila po shqyrton çështjen e ndalimit të myslimanëve, ka shtruar pyetjen nëse urdhri i presidentit Donald Trump është diskriminues për myslimanët.
Urdhri ndaloi hyrjen në SHBA për të gjithë refugjatët dhe vizitorët nga shtatë vende kryesisht myslimane.
Paneli prej tre gjyqtarësh ka ngritur pyetje mbi kufijtë në pushtetin e presidentit dhe provat që zoti Trump ka për të lidhur shtatë vendet me terrorizmin.
Gjykata gjithashtu ngriti pyetjen nëse masa mund të konsiderohet si anti-myslimane.
Një vendim nga Gjykata e 9 e Apelit në San Francisko pritet gjatë kësaj jave. Por, cilido qoftë vendimi, çështja me shumë gjasa do të përfundojë në Gjykatën e Lartë.
Të martën të dyja palët paraqitën argumentet e tyre në gjykatë.
Departamenti i Drejtësisë ishte i pari që paraqiti argumentat e tij, duke i bërë thirrje gjyqtarëve të apelit të rikthejnë urdhrin e ndalimit.
Avokati August Flentje tha se Kongresi ka autorizuar presidentin të kontrollojë kush mund të hyjnë në vend.
Kur u pyetën për të evidentuar se cila nga shtatë vendet e prekura nga urdhri i presidentit – Irani, Iraku, Libia, Somalia, Sudani, Siria apo Jemeni – paraqesin një rrezik për Shtetet e Bashkuara, ai tha se një grup somalezësh në SHBA ka qenë i lidhur me grupin al-Shabab.
Ndërsa, avokati që përfaqëson shtetin e Uashingtonit i tha gjykatës se ndalimi i urdhrit ekzekutiv nuk e kishte dëmtuar qeverinë amerikane.
Avokati i përgjithshëm Noah Purcell tha se ndalimi ka prekur mijëra banorë të shtetit, ka vonuar studentët, të cilët u përpoqën të ktheheshin në Uashington dhe ka penguar të tjerët për të vizituar familjet e tyre jashtë vendit.
Gjyqtari i çështjes Richard Clifton pyeti të dyja palët dhe theksoi se kjo çështje prek 15% të myslimanëve nga e gjithë bota.
Clifton gjithashtu shtoi se të shtatë shtetet e prekura nga urdhri i ndalimit janë identifikuar nga administrata Obama dhe Kongresi si vende që e meritojnë kufizimin e vizave, bazuar në kërcënimin terrorist.
Urdhri hyri në fuqi më 27 janar dhe shkaktoi konfuzion në aeroportet e huaja dhe të SHBA-së pasi njerëzit e prekur nga ky urdhër janë ndaluar të hyjnë në SHBA.
Urdhri u ndal të premten e kaluar nga një gjykatës federal në shtetin e Uashingtonit.
Si rezultat, njerëzit nga këto shtatë vende, të pajisur me viza të vlefshme janë lejuar sërish të udhëtojnë për në SHBA.
Washingtoni, Minnesota dhe shtetet e tjera duan që Gjykata e Apelit në San Francisko të lejojë urdhrin e përkohshëm kufizues, derisa gjykata të shqyrtojë çështjen.
Ndërsa sondazhet tregojnë se opinioni publik amerikan është i ndarë për këtë çështje.
Sigal