NATO, thirrje për më shumë trupa drejt Polonisë dhe shteteve të Baltikut

404
Sigal

NATO do të nxisë vendet aleatë gjatë kësaj të mërkure për të kontribuar në praninë më të madhe ushtarake pranë kufijve rusë, që prej Luftës së Ftohtë, teksa aleatët përgatiten për një mosmarrëveshje të zgjatur në kohë me Moskën.

Duke parë aeroplanmbajtësen ruse të drejtohet për në Siri në shenjë force përgjatë brigjeve të Europës, ministrat e Mbrojtjes së aleancës synojnë të përmbushin premtimin e korrikut nga udhëheqësit e NATO-s, për të dërguar forca në shtetet baltike dhe Poloninë lindore, duke nisur nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara shpresojnë për angazhime të detyrueshme nga Europa për kompletimin e grupeve të gatshme për luftim prej 4.000 ushtarësh, pjesë e përgjigjes së NATO-s ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, si dhe shqetësimit se Moska mund të përpiqet të veprojë me të njëjtën taktikë edhe në ish-republikat sovjetike të Europës.

Franca, Danimarka, Italia dhe aleatë të tjerë priten t’u bashkohen 4 grupeve të gatshme për luftim, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania dhe Kanadaja, për t’u vendosur në Poloni, Lituani, Letoni dhe Estoni, ndërsa forcat do të variojnë nga këmbësori e armatosur e deri te “drone”-t.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se angazhimet duhet të jenë “një demonstrim i qartë i lidhjes sonë transatlantike”. Diplomatët thanë gjithashtu se do t’i dërgojnë edhe një mesazh kandidatit republikan për president të SHBA-ve, Donald Trump, i cili është ankuar se aleatët europianë nuk paguajnë pjesën e tyre në aleancë.

Grupet e gatshme për luftim do të mbështeten nga Forca e Reagimit të Shpejtë e NATO-s prej afro 40 mijë trupash, ndërsa nëse do të jetë e nevojshme do të përforcohen me trupa të tjerë për çdo konflikt potencial të mundshëm, e do të lëvizin në shtetet e baltikut dhe Poloni mbi baza rotacioni.

Strategjia është pjesë e nevojës së dukshme për parandalim tensionesh, e mund të kombinohet në rast nevoje edhe me sisteme mbrojtjeje antiraketore, patrullime ajrore, si dhe sisteme mbrojtëse ndaj sulmeve kibernetike. Gjithsesi, aleanca atlantiko-veriroe duket se po has vështirësi në ndjekjen e një strategjie të ngjashme në rajonin e detit të Zi, për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se po kthehet në një “liqen rus” pas pranisë së ushtrisë moskovite atje.

Rumania, Bullgaria dhe Turqia pritet që së shpejti të ofrohen me një plan për të shtuar patrullimet e tyre detare dhe ajrore në zonën në fjalë, që priten të forcohen edhe nga një brigadë shumëkombëshe e NATO-s në Rumani.