Mustafa takon Lajçak: Integrimi evropian alternativa e vetme për perspektivën e Kosovës

418
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim zëvendëskryeministrin, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Republikës së Sllovakisë, Miroslav Lajçak.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi për arritjet në Kosovë në të gjitha fushat, si dhe për fokusimin e qeverisë së Kosovës në proceset integruese evropiane, për zhvillim ekonomik dhe për fuqizimin e institucioneve demokratike.
Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës në proceset evropiane, duke theksuar edhe nevojën e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë mbetur të vetmit qytetarë të rajonit që nuk e ka gëzojnë këtë të drejtë elementare.
“Ne tashmë kemi përmbushur kriteret dhe rekomandimet dhe presim që Bashkimi Evropian të marrë vendim për rekomandimin e datës për liberalizimin e vizave, që do të hapte perspektivë për qytetarët e Kosovës, do të mundësonte lëvizjen e lirë të tyre si dhe do të mundësonte dhe zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se integrimet evropiane janë alternativa e vetme perspektive për Kosovën.
Gjatë takimit, kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Sllovakinë, duke vlerësuar përkrahjen e Sllovakisë në proceset integruese të Kosovës.
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Republikës së Sllovakisë, Miroslav Lajçak, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë dhe përkushtimin për avancimin e proceseve evropiane dhe zhvillimin e mëtejshëm.
Zëvendëskryeministri Lajçak, po ashtu, shprehu përkrahjen e Sllovakisë për proceset integruese, duke përfshirë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Sigal