Mustafa paralajmëron shkarkimin e Jabllanoviç: Më mirë të largohet

438
Sigal

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka paralajmëruar “ndryshime në përbërjen e qeverisë së tij”, duke e lidhur me rastin e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviç.

Gjatë një vizite në komunën e Rahovecit, Mustafa ka thënë se pret fillimisht reflektim nga ministri Jabllanoviç pas situatës së krijuar në vend dhe protestave që përfunduan në dhunë.

Jabllanoviç i ka cilësuar më 6 janar “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.  Sipas kreut të qeverisë së Kosovës, qëndrimi i Jabllanoviç në postin e ministrit, pas deklaratave të bëra nuk do t’i bënte mirë as vetë atij.

Forcat politike në opozitë kanë kërkuar me ngulm nga Mustafa që të shkarkojë Jabllanoviç. Pas protestave të 24 dhe 27 janarit, opozita ka paralajmëruar protesta të reja për 4 shkurt, pikërisht në lidhje me këtë kërkesë.