Moti i keq shkakton përmbytje në Kroaci, dëme të shumta materiale

419
Sigal

Moti i keq me shi dhe erëra të fuqishme goditën pjesën më të madhe të qyteteve bregdetare në Kroaci, nga pjesa jugore e Adriatikut, ku uji i detit përmbyti bodrumet e Dioklecianit në Split, deri në Rijekë ku ujërat arritën deri në treg.

Ministria e Brendshme e Kroacisë po monitoron situatën në terren për shkak të motit me stuhi që filloi dje duke shkaktuar dëme në pjesën jugore të Kroacisë.

Nuk raportohet për persona të dëmtuar ndërsa dëmet materiale ende nuk janë përcaktuar, njoftoi MPB-ja e Kroacisë.

Era e fuqishme jugore, me shpejtësi mbi 140 kilometra në orë në afërsi të Dubrovnikut, bëri që uji i detit të përmbytë brigjet e shumë qyteteve bregdetare në Adriatik, deri në Istria, raporton Anadolu Agency.

Një stuhi e fortë u regjistrua në Trogir dhe Kashtela. Meteorologët thonë se moti do të qetësohet gjatë ditës, por reshjet e shiut me erëra sërish do të intensifikohen në fillim të fundjavës.