“Morëm garanci të forta”, Petkoviç: Vuçiç u kërkoi serbëve t’i heqin barikadat

255
Sigal

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.

“Po e shfrytëzoj mundësinë për të dhënë lajmin e mirë se kemi marrë garancitë më të forta ndonjëherë nga SHBA-ja dhe BE-ja kur bëhet fjalë për kërkesat e serbëve, kushtet e tyre që të tërhiqen nga barrikadat”, tha Petkoviq.

Petkoviq e cilësoi si lajm të mirë ndryshimin e masës së sigurisë të Dejan Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Është një fitore e madhe, mbi të gjitha për popullin serb në Kosovë”, tha ai.

Ish-policit serb, Dejan Pantiq, autoritetet në Kosovë ia ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor në Jarinjë, nën dyshimet për “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Serbët vendosën disa kushte për largimin e barrikadave, sikurse lirimi i serbëve të arrestuar dhe “tërheqjen” e listave të supozuara me emrat e serbëve që do të arrestoheshin nga Policia e Kosovës.

“Kemi marrë një deklaratë të përbashkët zyrtare nga SHBA-ja dhe BE-ja në të cilën është përmbushur qartë kërkesa e dytë e serbëve, ku pjesa më e rëndësishme është të konfirmohet se nuk ka lista për arrestimin apo ndjekjen penale të shtetasve serbë nga Kosova për pjesëmarrje. në protesta paqësore apo barrikada”, tha Petkoviq. REL