Mocion mosbesimi për qeverinë Mustafa, firmos dhe PDK

462
Kryeminsitri Isa Mustafa do të përballet javën e ardhshme me një mocion mosbesimi në Parlament, pasi 40 deputetë nga opozita dhe maxhoranca kanë kërkuar zhvillimin e këtij proçesi. Koalicioni ka pësuar kështu një krisje edhe më të thellë, pasi dokumenti i paraqitur në Kuvend është firmosur edhe nga deputetë të PDK-së. Kërkesa për mocion mosbesimi vjen në një kohë kur koalicioni qeverisës ka patur një sërë mosmarrëveshjesh, ndaj votimi i javës së ardhshme do të jetë një test bashkëpunimin mes PDK-së dhe LDK-së.

40 deputetë të Kuvendit të Kosovës, përmes një dokumenti zyrtar kanë kërkuar mbajtjen e një mocioni mosbesimi nga ana e Kryeministrit Isa Mustafa javën e ardhshme, ndërsa kërkojnë rrëzimin e qeverisë aktuale me argumentin se ky kabinet po dëmton vendin.

Deklarata në fjalë është firmosur nga partitë opozitare përfshirë NISMA-n, AAK dhe Lëvizjen Vetëvendosje, por në listë nuk mungojnë as eksponentë që janë pjesë e partive të koalicionit qeverisës.

Qëndrimi i 40 deputetëve bazohet në 9 pika konkrete, ku sipas tyre, vendi ka probleme madhore, duke nisur nga resurset energjitike, ekonomia, shëndetësia, kapja e institucioneve kryesore shtetërore nga partitë në pushtet etj.

Në bazë të nenit 100 të Kushtetutës, i cili parashikon se mocioni i mosbesimit mund të ngrihet nga 1 e treta e deputetëve, ose thënë ndryshe nga 40 anëtarë të parlamentit, grupimi kërkon futjen e mocionit në rendin e ditës për seancën e ardhshme.

Kryeministri Isa Mustafa ka patur vazhdimisht presionin e aleatit të tij, Kadri Veseli, për shkak të pamundësisë për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit.

Në këto kushte, seanca e ardhshme do të pritet me mjaft interes, pasi nëse nuk do të marrë votëbesimin e shumicës së deputetëve, shefi i ekzekutivit duhet të lërë detyrën dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Votimi i javës së ardhshme do të jetë një test për unitetin e koalicionit qeverisës. 


Sigal