Ministri i Rendit, Dendias: Emigracioni në krye të prioriteteve

455
Sigal

Prioritetet e presidencës greke në Bashkimin Europian

Problemin e emigracionit e ka vendosur në krye të prioriteteve të presidencës greke në fushën e sigurisë, të drejtësisë dhe të çështjeve të brendshme, ministri i rendit publik dhe mbrojtjes së qytetarit, Nikos Dendias, gjatë një prezantimi para të dërguarve të mediave të huaja në Athinë. Dendias theksoi se, presidenca greke do të përqendrojë gjithë përpjekjet në shqyrtimin e gjithë parametrave të politikës së emigracionit, me synim të dyfishtë. “Nga njëra anë të zbusë pasojat nga emigracioni klandestin në raport me realitetin ekonomiko-social dhe politik të shteteve anëtare, por edhe -në masën që kjo është e mundur-, të lehtësojë emigracionin e ligjshëm, me kriter kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të Europës. Në këtë kuadër do të punojmë për të promovuar çështje të rëndësishme si financimin europian për mbulimin e shpenzimeve që rezultojnë për shkak të flukseve të emigrantëve të paligjshëm dhe forcimin e përpjekjeve për një politikë europiane eficente të rikthimeve”, deklaroi ministri i rendit publik.

 Mediat e huaja “shohin” dalje të Greqisë në tregjet ndërkombëtare

Perspektivës së kthimit të Greqisë në tregun e obligacioneve i referohen mediat ndërkombëtare. Posaçërisht, agjencia Bloomberg thekson deklaratën e ministrit të financave, Janis Sturnaras, se Greqia planifikon shitjen e obligacioneve në gjashtëmujorin e dytë të 2014, duke vënë në dukje se kjo do të shënojë ndryshimin e faqes për Eurozonën pas përjashtimit të vendeve nga blerja e borxhit.
Financial Times bëjnë me dije se u shtuan në mënyrë të konsiderueshme shanset që Greqia të kthehet së shpejti në tregjet ndërkombëtare për financimin e vet, pas rritjes së interesimit të investitorëve që po evidentohet ditët e fundit për blerjen e obligacioneve të vendeve periferike të Eurozonës.
Ky interesim u forcua pas emetimit të suksesshëm të bondeve 10-vjeçare irlandeze, përmes të cilave Dublini mori 3,75 miliardë euro, me interes vetëm 3,54%.

Steinmeier: Greqia në rrugë të mbarë

Në ditën e parë të presidencës greke të BE, ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier është i pari që viziton Athinën, për të krijuar një “pamje” nëpërmjet bisedave që do të zhvillojë me përfaqësues të qeverisë, biznesmenë dhe nxënës, gjatë qëndrimit të tij në tokën greke.
Takimi i parë i shefit të diplomacisë gjermane ishte me homologun e tij, Evangelos Venizelos. Në përfundim të takimit, të dy ministrat e jashtëm folën për gazetarët, duke u përqendruar kryesisht në krizën greke, por edhe në Europë. Steinmeier, në përgjigje të pyetjeve, nënvizoi mesazhin se Greqia “me reformat ndodhet në rrugë të mbarë”, ndërsa suficiti e bën “jetik dhe afatgjatë shërimin”.  Ministri gjerman shënoi se “sakrificat e grekëve dhe zbatimi i domosdoshëm i kësaj politike po sjellin fryte”, ndërsa shtoi se nuk mund veçse të këshillojë grekët që “të mos flasin vazhdimisht për paketa shpëtimi. Diçka e tillë do të nënvleftësonte jo vetëm reformat, por edhe stabilitetin”, theksoi. Evangelos Venizelos theksoi se “objektivi themelor është qëndrueshmëria e borxhit grek” dhe shtoi se zhvillimet pozitive me suficitin do të zyrtarizohen kur të bëhet konfirmimi, nga Eurostat, i të dhënave të vitit 2013.