Sigal

Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias dha dorëheqjen të mërkurën, me kryeministrin Alexis Tsipras që pranoi dorëheqjen e tij, njoftoi gazeta Kathimerini në Athinë.

Në një deklaratë pasi Kotzias dha dorëheqjen, Tsipras njoftoi se ai do të marrë përsipër ministrinë për t’u siguruar që marrëveshja e emrit me Maqedoninë të realizohet, por theksoi se Athina nuk do të pranojë kurrë kërkesën e anëtarësimit të fqinjës së saj në NATO nën emrin e saj aktual, sipas Kathimerini.

Burime qeveritare thanë për gazetën se Kotzias ishte i pakënaqur për faktin se kryeministri Tsipras nuk e kishte mbështetur atë kundër sulmeve nga Ministri i Brendshëm Panos Kammenos, me të cilin Kotzias ishte përplasur në lidhje me marrëveshjen e emrit me Maqedoninë gjatë një mbledhje të kabinetit një ditë më parë.

Kammenos kryeson partnerin e vogël të koalicionit qeverisës në qeverinë greke, por ndryshe nga Kotzias, i cili është një nga arkitektët kryesorë të marrëveshjes së emrit, ai është një kundërshtar i zellshëm i marrëveshjes.

Sipas gazetës Kathimerini, ndihmësit pranë ministrit të jashtëm thanë se Kotzias ishte “thellësisht i ofenduar” nga akuzat e Kammenos, ndonëse nuk u bë e qartë se çfarë ishin këto.

Marrëveshja e emrit e arritur këtë verë midis Athinës dhe Shkupit hasi me kundërshtime të forta nga forcat e krahut të djathtë në Greqi dhe Maqedoni.

Marrëveshja duhet ende të vihet në zbatim nga parlamenti maqedonas. Ajo do të hyjë në fuqi vetëm nëse vendi ndryshon kushtetutën e tij për të ndryshuar emrin e vet në Republika e Maqedonisë së Veriut, pas së cilës parlamenti grek duhet ta ratifikojë marrëveshjen.