Ministri belg i Mbrojtjes kundërshton shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë

434
Sigal

  Ministri belg i Mbrojtjes, Pieter De Crem kundërshton shkatërrimin e armëve kimike siriane në Belgjikë. “Do të dëshiroja të bëja një përpjekje për të kontribuar në këtë drejtim, por kjo gjë tek ne, në pamje të parë dhe për një afat të gjatë, nuk jam dakord”, bëri të ditur De Crem për radion flamande VRT.  Ministri shtoi se, Belgjika do të ishte e gatshme të kontribuonte në inventarizimin e armëve kimike. “Ne mund të propozojmë ndihmën tonë për t’i neutralizuar ato, por mendoj se kjo duhet të zhvillohet më mirë në rrethinat e largëta të territorit sirian. Zhvendosja e këtyre armëve është në vetvete një mision i vështirë”, – deklaroi ministri De Crem. Belgjika ka qenë një nga vendet, bashkë me Francën, që është kontaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në asgjësimin e arsenalit kimik sirian. Shqipëria, që gjithashtu, është kontaktuar nga Uashingtoni, e përjashtoi të premten mundësinë për shkatërrimin e një pjese të arsenalit kimik në territorin e saj. Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OIAC) miratoi të premten planin e shkatërrimit të arsenalit kimik sirian deri në mes të vitit 2014. Ai parashikon që armët të transportohen jashtë vendit, për të siguruar shkatërrimin e tyre në mënyrën më të sigurt dhe më të shpejtë të mundshme.