Mijëra evropianë në protesta për të mirëpritur rrefugjatët

507
Dhjetëra mijëra vetë morën pjesë dje në të ashtuquajturën “dita e veprimit”, demonstrata masive në disa prej qyteteve europiane në mbështetje të refugjatëve dhe emigrantëve. Europa po përballet me një fluks masiv emigrantësh, kryesisht nga Siria për shkak të konflikteve, luftërave apo varfërisë në vendet e tyre të origjinës.
Në Londër mijëra vetë marshuan drejt rezidencës së kryeministrit Devid Kameron, në Downing Street ndërsa mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Hapini kufijtë” apo lërini refugjatët të hyjnë. Demonstrata të ngjashme pati edhe në qytete të tjera të Britanisë së Madhe. Qeveria ka deklaruar se do të pranojë 20 mijë refugjatë në 5 vitet e ardhshme por nga kampet në Lindjen e Mesme dhe jo ata që vijnë në Europë.
Ndërkaq edhe në kryeqytetin suedez në Stockholm, rreth 1 mijë vetë bënë thirrje për më shumë mbështetje për refugjatët. Vetë pjesëmarrësit në demonstratë thanë se Suedia ka detyrime jo vetëm si anëtare e BE-së por edhe për përgjegjësinë që mbart për konfliktin në Siri.
Rreth 30 mijë vetë u tubuan ndërkohë jashtë parlamentit danez në Kopenhagen, duke thirrur “Refugjatët janë të mirëpritur këtu”. Demonstrata të ngjashme pati edhe në Francë, Austri, Hollandë e madje edhe në Australi.
Por ndërkohë pati edhe protesta kundër refugjatëve në disa prej vendeve të Europës lindore. Kështu rreth 5 mijë vetë me slloganë anti-islamikë marshuan në Varshavë, kryeqytetin e Polonisë. Një protestë e ngjashme u mbajt edhe në Pragë ku njerëzit mbanin në duar pankarta “Nuk dua refugjatë dhe Islamin në Republikën Çeke”. 1500 vetë u mblodhën edhe në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratislavën.
Sigal