Mehmet Latifi/ “Aventurat” e policisë së Maqedonisë dhe ëndrrat e tyre për sulmet e UÇK

437
Është krejtësisht normale që policia të kujdeset për rendin dhe qetësinë publike, komunikacionin, ndërsa në rajonet kufitare ka për detyrë të kujdeset edhe për ato për të parandaluar kalimet ilegale, tregtinë e palejuar me armë, narkotikët dhe gjëra të tjera të jashtëligjshme, me një fjalë për të parandaluar dhe penguar kriminalitetin, i çfarëdolloji qoftë ai. Madje, për të kryer këtë detyrim ligjor dhe kushtetues, pa dyshim se do ta kishin mbështetjen edhe te popullatës vendase. Mirëpo është e pakuptueshme se çka kërkoi ekspedita policore në fshatrat e Karadakut të Kumanovës, konkretisht në Malinë, ku në afërsi janë edhe Breza e Gushinca. Cili mund të jetë motivi i kësaj “vizite” në këtë rajon është vështirë të thuhet, por ama, nga ajo që është bërë e ditur nga banorët e Malinës, nuk ka pasë asnjë arsye, asnjë motiv aq të fortë që ekspedita e armatosur deri në dhëmbë, me makineri të blinduar-“hermelin” e “pitzgauer”, ndaj me të drejtë supozohet se policia po ushtron dhunë dhe po terrorizon popullatën e Karadakut të Kumanovës.
Nëse motiv i kësaj ekspedite-aksioni policor ka qënë dhe është “zbulimi” i atyre 40 personave që e “sulmuan” karakollin në pikën kufitare, ku sipas komunikatës zyrtare të MPB-së, “Karakolla është sulmuar nga 40 persona, të ardhur nga territori i Kosovës me dy vetura (?), (por se çfarë vetura kanë qenë ato vetura me të cilat kanë lëvizur ata 40 persona në ato rrugë malore, atë e di vetëm MPB-ja që e ka përpiluar komunikatën e publikuar përmes zëdhënësit Ivo Kotevski).
Rrjedhimisht edhe ky motiv është i paqëndrueshëm
Nga Kosova zyrtare pretendimin se sulmuesit kanë ardhur nga territori i Kosovës e hedhin poshtë në mënyrë kategorike, duke ofruar edhe kontrollimin e pajisjeve për kontrollim të vijës kufitare kundër kalimeve ilegale, “ehosonderëve kufitar”. Motiv tjetër që supozohet se mund të jetë, është, që sipas zëdhënësit të policisë dhe komenteve në rrjetet sociale, se janë marrë një sasi e konsideruar e armëve që kanë qenë pjesë e armatimit të asaj pike kufitare, pasi vlerësimi ishte se “sulmuesit” ishin nga Kosova, atëherë pse bastisen dhe terrorizohen banorët e Malinës, kur Malina është brenda kufijve të Maqedonisë?!
Nëse motivi është për të treguar se Maqedonia ka njësite policore, është motiv banal, sepse atë e di çdo qytetar i Maqedonisë. Sidomos e dinë shqiptarët, sepse lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, sa e sa herë është lavdëruar duke përsëritur “…kemi punësuar 2.000 policë”, por asnjëherë nuk ka deklaruar se ka punësuar 2.000 shkencëtarë!
Karadaku i Kumanovës, respektivisht, banorët e atyre vendbanimeve kanë mjaft probleme ekzistenciale, pa infrastrukturë rrugore, pa kanalizime, pa shërbime mjekësore primare e të mos flitet për specialistike dhe kryesisht kafshatën e bukës e sigurojnë nga bujqësia dhe blegtoria. Pse asnjëherë nuk është diskutuar ose menduar që në rajonin e Karadakut të Kumanovës të hapet një zonë e lirë ekonomike dhe të sillen investitorë të huaj siç po paralajmërohen në shumë e shumë rajone tjera të Maqedonisë? Edhe banorët e Karadakut të Kumanovës janë njësoj banorë dhe taksapagues të po kësaj Maqedonie. Si ka mundësi që Ministria e Punëve të Brendshme ta gjejë aq lehtë fshatin Malinë për intervenim, ndërsa Ministria e ekonomisë, Ministria e shëndetësisë, Ministria e arsimit, Ministria e transportit nuk e gjetën të arsyeshme që të intervenojnë me projektet e tyre, por të vetmet projekte që realizohen në këtë rajon janë ekspeditat policore.
Mbetet të presim sihariqin e MPB-së për “Rezultatat e kërkimit-bastisjes nga policia”, që të “bindemi” për “fajin” që kanë banorët Malinës, që edhe qytetarët tjerë të Maqedonisë të arsyetojnë aksionin e këtillë të policisë së armatosur deri në dhëmbë kundër popullatës civile. Sqarimi do të jetë i patjetërsueshëm, pavarësisht besueshmërisë së “fakteve të policisë”. Ndryshe, nuk ka se sit ë interpretohet ky aksion pos pretendimit të justifikimit përmes kurdisjeve ngjashëm me rastin e Sopotit, Brodecit, Monstrës, e rasteve tjera të ngjashme, për ta tërhequr vëmendjen e opinionit vendas dhe të huaj për gjendjen e përgjithshme në Maqedoni.
Sigal