Media Italiane skanon Shqipërinë. “Trafiqe e tregime nga Albanistani”

413
Sigal

Trafiku i drogës nga Shqipëria me destinacion vendet e tjera europiane është bërë kryetemë në mediat italiane, por edhe në vendet e tjera ku janë kapur dhe arrestuar shqiptarë të përfshirë.

Media prestigjioze italiane “Corriere della Sera”  në një artikull të publikuar sot shkruan për fenomenin e prodhimit të drogës në Shqipëri dhe për atentatin e djeshëm në qytetin e Vlorës, ku dy persona mbetën të vdekur dhe një tjetër u plagos.

Artikulli i titulluar “Trafiqe dhe tregime nga “Albanistani”, i gazetarit Andrea Galli flet për krijimin e një narko-shteti, term ky që është përdorur gjerësisht nga opozita shqiptare kundrejt qeverisë në çdo betejë parlamentare e studio televizive.

Analiza e gazetarit të medias italiane zbërthen të gjithë domethënien e termit  “narko-shtet”, i cili në thelb ka rregullimin e hesapeve, telefonatat mbi drogën si dhe lidhjet e trafikantëve me politikanë.

Albanese

“Përkufizimi i “narko-shtetit” ka në themel të tij rregullimet e hesapeve, tonelatat e drogës, krimet e eksponentëve shtetërorë të kamufluar si aksidente rrugore, djemtë që joshen nga kriminelët dhe transformohen në vrasës, lidhje mes politikanëve dhe narko-trafikantëve shqiptarë, e cila nuk mbetet më vetëm në kuadër të prodhimit të marijuanës, por është futur edhe në kanalet ndërkombëtare të kokainës, në aleancë me ndrangheta-n dhe klanet amerikano-jugore”, thuhet në artikull.

Duke listuar një sërë problemesh në Shqipëri, media italiane ndalet edhe tek aferat korruptive. Ajo shkruan se është krijuar një kulturë edhe tek qytetarët, të cilët sapo ndalohen për një kontroll rutinë nga Policia e Shtetit ata menjëherë bëjnë gati “paratë”, si metodë  e qartë për të korruptuar efektivët e policisë.

Një zakon i përhapur aq shumë, saqë kur një qytetar ndalohet nga policia për një kontroll rutinë, bën gati paratë. Kurrë nuk i dihet, edhe pse nuk ka kryer asnjë krim. Një polic fiton mesatarisht 300 euro në muaj. Ndikimi i partive nuk ka të ngjashëm në Europë. Me ndryshimin e pushtetit, ndërrohen edhe kolltukët, të rëndësishëm ose jo. Policët e thjeshtë mund të transferohen nga një anë e vendit në tjetrën. Ato paga mjerane nuk u lejojnë të blejnë një makinë, ndërsa mjetet e transportit publik janë të vjetërsuar, e kështu ndodh shpesh që t’i gjesh policët duke bërë auto stop”, thuhet në brendësi të artikullit.

Ajo në fund shkruan edhe për “djemtë e dhunshëm” që bëjnë pjesë në klane të ndryshme mafioze, të cilët duke u marrë me trafikimin e lëndëve narkotike, sigurojnë shuma të mëdha parash dhe kontrollojnë tregun e hashashit në Europë dhe të kokainës nga Amerika e Jugut,  Holandë dhe së fundmi në Londër.

Sipas artikullit, “Globalizmi” ka ngritur në një shkallë superiore teknikën për prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe kjo i bën ata (klanet shqiptare) të “paprekshme”.

“Në një vend ku spikat patriotizmi, me një ndjenjë të rrallë mikpritjeje dhe me një natyrë të mrekullueshme, jetojnë të lirë dhjetëra të kërkuar, të dënuar në Itali por jo të arrestuar. Me 200 mijë euro mund të fitohet pandëshkueshmëria e përjetshme”,  thekson në fund “Corriere della Sera”. Këto klane sipas gazetarit italian mbajnë peng një vend të mrekullueshëm dhe mikpritës si Shqipëria.