Me rritjen e çmimeve, shteti turk shndërrohet në shitës tregu

516
Turkey Referendum
Sigal

Turqit e zakonshëm po ndiejnë efektet e një krize ekonomike në formën e çmimeve të rritura për frutat dhe perimet, gjë që e ka detyruar qeverinë të ndërhyjë para zgjedhjeve lokale

Ndërsa kriza ekonomike e Turqisë fillon të dëmtojë jetën e përditshme të turqve të zakonshëm, qeveria e presidentit Rexhep Tajip Erdogan ka ndërmarrë hapin e pazakontë të krijimit të tregjeve ushqimore që shesin fruta dhe perime me çmim të ulët për të luftuar efektet e inflacionit në rritje. Masa vjen me zgjedhjet vendore që po afrohen më 31 mars, kur çmimet e larta mund t’i kushtojnë vende në parlament Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit. Radhët e gjata të turqve kryesisht të moshuar mund të shihen në tezgat e ngritura nga komunat e kontrolluara nga partia e Erdoganit, ku ofrohen patate, qepë, mollë dhe oriz me çmim të ulët. “Nëse çmimet e larta nuk korrigjohen nga zgjedhjet lokale, ne do të organizojmë vende shitjesh në çdo qytet,” tha Erdogan në një tubim në Stamboll, më 4 mars. “Ne do të shesim produktet më të lira për qytetarët tanë.” Sipas të dhënave nga agjencia turke e statistikave, çmimet e ushqimeve u rritën 6.43 për qind në janar gjatë muajit të kaluar, ndërkohë që çmimet në krahasim me një vit më parë u rritën me 30.7 për qind. Çmimet e frutave dhe perimeve të freskëta u rritën me 64 për qind, gjatë vitit të kaluar, një periudhë trazirash në tregjet financiare të shkaktuara nga një mosmarrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe administrimin e ekonomisë së Erdoganit. Vlera e lirës, monedhës kombëtare turke, ka rënë në mënyrë dramatike. Qeveria ka fajësuar fuqitë e huaja, prodhuesit e babëzitur dhe ata në tregun e zi për ngritjen e çmimeve. Analistët thonë se tregjet e vogla të frutave dhe perimeve nga qeveria do të ofrojë vetëm një lehtësim afatshkurtër. “Ekonomia turke tani është në krizë,” tha Baris Soydan, një ekonomist dhe gazetar në gazetën online T24. “Unë besoj se nuk ka planifikim strategjik ekonomik dhe masat e qeverisë janë kryesisht të menjëhershme dhe afatshkurtra.”

Rritet edhe çmimi i energjisë elektrike dhe ai i gazit

Mediat pro-qeveritare në vend i kanë vlerësuar tezgat e tregut si një “revolucion”. “Ne nuk do të lejojmë asnjë të fusë duart në xhepat e popullit tonë,” tha më 7 shkurt ministri turk i financës, Berat Albajrak, dhëndri i Erdoganit. “Ne do të ndërmarrim masat më të ashpra të mundshme kundër atyre që përpiqen të shfrytëzojnë situatën për të vendosur çmime të larta të tepruara.” Megjithatë, mediat e tjera thonë se shumë turq, edhe pse blejnë sasi të kufizuara në tezgat me çmime të ulëta, nuk janë të impresionuar nga kjo politikë. Disa të tjerëve radhët u kujtojnë kohët e vështira pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë embargos së SHBA-së ndaj Turqisë në vitet 1970 lidhur me ndërhyrjen e saj ushtarake në Qipro, kur turqit duhet të prisnin në radhë për sheqer, vaj dhe kripë.

Kriza nuk duket në rënie

Pak ekonomistë shohin ndonjë ulje të krizës së afërmi, sidomos pa një ndryshim të stilit gjithnjë e më autoritar të Erdoganit gjatë 16 viteve në pushtet. Sipas agjencisë Moody’s, ekonomia turke do të tkurret dy për qind në vitin 2019. “Turqia përballet me një krizë të vërtetë sektoriale për herë të parë dhe është shumë vështirë të dalësh nga ky labirint,” tha Soydan. “Fillimisht, kapaciteti i bankave turke për të dhënë kredi është bërë shumë i kufizuar. Zhvillimet globale dhe çështjet e imazhit të Turqisë po pakësonin investimet,” shtoi ai. “Qeveria duhet ta sigurojë botën për rivendosjen e sundimit të ligjit dhe politikave shtrënguese,” tha Soydan. “Investitorët e huaj dhe ata turq që transferuan kapitalin e tyre jashtë vendit mund të kthehen vetëm nën këtë kusht.”