Me kë do bëjë aleancë Thaci? VV vetëpërjashtohet, sytë nga Haradinaj

468
Sigal

Të djelën Kosova votoi, por ndërsa flitet për një fitore të PDK-së së Thacit, e paqartë mbetet pjesa se me kë do të bëjë koalicion kjo parti. AKR nuk kalon pragun, sytë kthehen nga Ramush Haradinaj. Aleancat e partive të vogla me PDK-në, deri më tani, janë treguar vetëvrasëse. A do të pranojë një të tillë Haradinaj, apo do të ngulë këmbë në postin e Kryeministrit?  Partia Demokratike e Kosovës doli fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por mbetet mjaft sfiduese për të dhe liderin e saj Hashim Thaçi krijimi i qeverisë së re. Me afërsisht 31% të votave, PDK ka mposhtur partinë rivale, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ka arritur të siguroj rreth 26% të votave. Mirëpo kjo distancë, nuk i siguron Thaçit dhe PDK-së komoditet në krijimin e koalicionit të ardhshëm qeveritar. Prandaj, tani mbetet që pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, Thaçi dhe PDK të kërkojnë një apo dy parti partnere për krijimin e koalicionit.

Prej kësaj matematike, vetëpërjashtohet Lëvizja Vetëvendosja. Ata nuk bëjnë koalicion me PDK-në. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në një dalje për media e ka quajtur lajm të keq për Kosovën fitoren e PDK-së. Kurti ka thënë se nuk e përjashtojnë as koalicionin me LDK, por sipas tij së pari duhet t’i bindin partitë e tjera që të mos i bashkohen PDK-së.
LDK nuk pranon koalicion me PDK 
Pak a shumë në të njëjtën linjë me VV-në, ka qenë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Zyrtarët më të lartë të partisë kanë deklaruar se me asnjë kusht nuk bëjnë koalicion me PDK-në. Madje Kryetari Mustafa ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje, nëse i humbet zgjedhjet. Pritet sa do e mbajë ai këtë premtim.
AKR në “ankth”
Aleanca Kosova e Re do të mbetet në ankth derisa të përllogaritën të gjitha votat duke përfshirë votat e rregullta, votat me kusht, votat nga jashtë vendit, votat e personave me nevoja të veçanta për ta ditur nëse do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi i ka bërë të ditur ‘Zërit’ se sipas ligjit, për t’u përfaqësuar në Kuvend, subjekti politik duhet të fitojë të paktën 5% të votave.
Ndryshe sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Aleanca Kosova e Re, ende mbetet me 4.71 për qind, pra do t’i duhen edhe 0.29 për të qenë pjesë e kuvendit.

Kosovë, PDK, fituesja e zgjedhjeve parlamentare

Partia Demokratike e Hashim Thaçit është fituesja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Pas numërimit të 2374 kutive të votimit PDK e Thaçit ka fituar 30.91%; Lidhja Demokratike e Kosovës radhitet forcë e dytë me 25.83% të votave. Ndryshe nga sa pritej, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 13.57% ose mbi 93 mijë vota, duke siguruar 20 deputetë në parlamentin e ri të Kosovës, nga 14 që kishte në legjislacionin e shkuar. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ndërkohë radhitet në vendin e katërt me 9.53% ose e thënë ndryshe ka fituar mbi 66 mijë vota.

Nisma për Kosovën e Fatmir Limajt ka marrë 5.29%, ndërsa zhgënjimi i këtyre zgjedhjeve ishte AKR e Behgjet Pacollit, e cila nuk arriti të sigurojë pragun zgjedhor prej 5 për qind, duke siguruar vetëm 4.68% të votave. Partia e Pacollit, përfundimisht mbetet jashtë Parlamentit. Tashmë mbetet vetëm certifikimi i rezultatit të këtyre zgjedhjeve, ku morën pjesë 43.16% e popullsisë së Kosovës, ku për herë të parë morën pjesë në votime edhe serbët e veriut. Pavarësisht rezultatit në zgjedhje partitë politike nga radhët e komunitetit serb do të kenë dhjetë vende të garantuara në parlamentin e Kosovës, ashtu si edhe partitë e pakicave të tjera etnike jo shqiptare. Por përkundër fitores së arritur, Thaçi do ta ketë të vështirë të qeverisë. Agjencia e Lajmeve Reuters shkruan: “Thaçi ka mundësi të formojë një koalicion qeverisës me partitë më të vogla dhe serbët etnikë për të siguruar edhe një mandat katër vjeçar në pushtet, por varësia e tij ndaj të tjerëve mund ta dëmtojë aftësinë e tij për të qeverisur në mënyrë efektive”.