Marsida Bandilli*Zgjedhjet e Parlamentit Europian 2014, kandidatët sa të rinj, aq edhe të vjetër

561
Sigal

FutureLab Europe: Të rinjtë e Europës nuk janë mjaftueshëm të informuar për zgjedhjet

Vetëm 7.45% e anëtarëve aktualë të Parlamentit Europian janë nën moshën 40 vjeç. Çfarë nënkupton kjo për politikat rinore dhe angazhimin e të rinjve? FutureLab Europe, së fundi ka botuar një publikim të titulluar: “Mungesa e një brezi në Politikën e BE-së: Si të përfshijmë të rinjtë evropianë?”, i cili analizon sjelljet e të rinjve europianë në lidhje me zgjedhjet e Parlamentit Europian dhe sesa të informuar janë ata në lidhje me to. Raporti analizon shkaqet themelore të interesit të ulët të të rinjve, si dhe pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje. Ndër të tjera, si gjetje e raportit, mund të përmendim:

– politizim i pamjaftueshëm i zgjedhjeve,

– (perceptimi) i një mungese diskutimi mbi subjektet që janë në interes të të rinjve,

– shumë pak të rinj europianë aktualisht përfaqësojnë të rinjtë në parlament;

– një deficit në komunikim dhe përcjelljen e informacionit.

Në këtë kontekst, të rinjtë e Programit FutureLab Europe janë përpjekur të gjejnë një zgjidhje në lidhje me pyetjen sesi të përfshihen të rinjtë europianë. “Nëse ju nuk merrni pjesë, atëherë vendimet do të merren pa ju, dhe kjo do të thotë që vendimet do të kenë gjithsesi peshë mbi ju”– thotë László Andor, Komisioneri i BE mbi Punësimin dhe Çështjet Social. Ashtu siç theksohet mjaft qartë dhe në raportin e FutureLab, të rinjtë europianë janë shumë pak të angazhuar në pozicionet vendimmarrëse. “Por përfshirja e të rinjve nënkupton jo thjesht ekzistencën e parlamenteve rinore që nuk kanë një peshë të vërtetë. Pjesëmarrja nuk nënkupton thjesht votën në zgjedhjet që mbahen periodikisht, nënkupton mbi të gjitha fuqizimin e të rinjve në mënyrë që ata të marrin pjesë plotësisht në shoqëritë e tyre’ – shprehet Ska Keller, një nga kandidatët e Partisë së Gjelbër për zgjedhjet europiane. Edhe pse zgjedhjet europiane janë zhvilluar disa ditë më parë, një numër i konsiderueshëm i të rinjve do të votonin, por ata nuk janë mjaftueshëm të informuar. Grafiku i mëposhtëm thekson përgjigjet e pyetjes ‘Çfarë do t’ju bënte më të interesuar në zgjedhjet Europiane?’.

 FutureLab Europe është një program intensiv që i dedikohet të rinjve europianë dhe ideve të tyre novative. Qëllimi kryesor i programit është të promovojë idetë inovative dhe të mbështesë të rinjtë. Në një kohë kur, të rinjtë europianë dëshirojnë të marrin pjesë; ajo që nevojitet është aksesi tek liderët dhe vendimmarrësit, të cilët aktualisht formësojnë të ardhmen e Europës. Në këtë program, 10 fondacione europiane sjellin së bashku njohuritë dhe ekspertizën e shoqërisë civile. Ata përzgjedhin pjesëmarrës që kanë një potencial të madh për Europën. Pikënisje e programit është Forumi i Përvitshëm, i cili mundëson një javë intensive diskutimi mbi traditën historike të institucioneve në Bruksel. Pjesë integrale e programit janë dhe aktivitetet Europe@Debate, në të cilën të rinjtë e grupmoshës 20-30 vjeç diskutojnë me politikanë dhe specialistë të nivelit të lartë. Aktivitetet e FutureLab Europe fokusohen rreth temës së “mundësive të barabarta “, “pjesëmarrjes demokratike” dhe “identitetit Europian”. Disa nga sfidat me të cilat përballet sot Europa janë të reja dhe për t’ju përgjigjur atyre, është e nevojshme të prezantohen perspektiva të reja. Në këtë kontekst, FutureLab Europe përfaqëson një shembull për t’u ndjekur dhe një arenë aktive debati mes të rinjve Europianë.

*Kandidate Doktorature në Universitetin e Antwerpit, Belgjikë