Maroku po ndërton centralin më të madh diellor në botë

584
Qyteti maroken Ouarzazate është i njohur për shumë fansa të kinemasë. Në panoramën e shkrifët e të kuqe buzë shkretëtirës janë xhiruar shumë filma si i famshmi “Lorenci i Arabisë”. Edhe seriali kult “Game of Thrones” është xhiruar po ashtu në këtë qytet. Vetëm se tashmë ai po bëhet i njohur për një megaprojekt shumë të veçantë, që në shumë gazeta e revista shkencore po shfaqet me germa të trasha. Pasi atje po lind diçka që më parë në Marok askush nuk e kishte besuar se do të mund të zinte rrënjë: centrali më i madh i energjisë diellore në botë. Në fakt, Marokut i duhej ky rekord, pasi veç të tjerave, ia shton vetëvlerësimin dhe ia rrit prestigjin. Përmasa e projektit është madhore: kur centrali me vlerë 1,8 miliardë euro të ketë përfunduar, do të arrijë të furnizojë më shumë se një milionë marokenë me energji elektrike.
Vendi i zgjedhur për ta vënë në jetë projektin e barabartë me 2100 fusha futbolli, nuk mund ishte më perfekt se ky. Rrezet e diellit këtu në buzë të shkretëtirës janë ekstremisht të forta. Ato japin një energji prej 2500 kilovat/orë për metër katrorë dhe vetë viti si mesatare shënon njërën ndër më të lartat në mbarë botën. Ditët në të cilat dielli nuk ndriçon plotësisht e në mënyrë perfekte, në Ouarzazate janë shumë të rralla, duke përbërë një përjashtim absolut. Kështu për shembull, kjo fushë prodhon në vit më shumë se shtatëfishin e centralit më të madh të energjisë diellore në Gjermani e sigurisht, disafishin e atyre në Europë. E veçanta në teknikën e saj është se energjia diellore depozitohet dhe mund të “inkorporohet” në çdo kohë në rrjetin energjetik të vendit, duke u përdorur atëherë kur duhet. “Impianti në fjalë do të jetë në gjendje të mbledhë energji edhe disa orë pas perëndimit apo mosshfaqjes së diellit”, shpjegon drejtuesi i projektit, Rachid Bayed, në një raport për një media perëndimore.
Në këtë mënyrë, i ashtuquajturi “centrali i tubave shkarkues parabolikë” ndryshon shumë në funksionim nga ata të përdorur gjerësisht në Gjermani apo Europë; impiantet fotovoltaikë. Këto të fundit janë në gjendje ta depozitojnë energjinë diellore. Të dyja teknologjitë nuk janë të krahasueshme me njëra-tjetrën. Centrali me tubat shkarkues parabolikë e merr energjinë diellore nga një pasqyrë rrezethithëse. Ato janë ndërtuar në një lartësi thuajse nëntë metra. Kështu funksionon: pasqyrat mbledhin rrezet diellore dhe nxehin kësisoj një material të lëngshëm që qarkullon në tubat që gjenden nën pasqyra. Masa e avullit e përftuar në këtë mënyrë, vë në lëvizje turbinën e centralit. Kjo teknikë – sipas raportit të gazetës britanike “The Guardian” – është më e shtrenjtë dhe më e papërdorur se sa ajo fotovoltaike, por, nga ana tjetër, ka avantazhin se energjia mund të prodhohet, edhe atëherë kur nuk ka më asnjë rreze dielli.
Impianti më i madh solar është vetëm njëra ndër masat e shumta që Marokun e shndërrojnë kësisoj në lider të energjisë alternative. Vendi afrikanoverior tashmë po punon seriozisht në burimet e energjisë së rinovueshme. Deri në vitin 2020, parashikohet që prej saj të përftohet gjysma e nevojave me energji për vendin. Maroku ka avantazhin më të madh se atje nuk shndrit shpesh vetëm dielli. Në brigjet e tij fryn edhe era përgjatë gjithë vitit. Në afërsi të qytetit bregdetar, Tanger, për shembull janë instaluar shumë rotorë ere. “Këtu në fakt fryn shumë erë, e rotorët lëvizin përgjatë 98% të kohës gjatë gjithë vitit”, citonte së fundmi gjermania “Frankfurer Allegemeine Zeitung”, Tarik Hamane nga koncerni energjetik shtetëror, ONEE.
Edhe në hidrocentrale, Maroku gjatë viteve të fundit ka investuar mjaft. Që energjia e rinovueshme mund të zërë vend në mënyrë kaq shembullore në Marok, kjo para së gjithash i dedikohet edhe vetë vullnetit e këmbënguljes së kreut të shtetit, Mbretit Mohammed VI. Ai e ka mbështetur ndërtimin e qendrave të prodhimit të energjisë së rinovueshme prej vitesh – pasi ai tashmë e di se ekonomia e Marokut mund të bëjë përpara, vetëm nëse bëhet e pavarur nga tregu energjetik ndërkombëtar, praktikisht nga ato kombe nga të cilët vendi është varur në këtë aspekt deri më tani, duke u blerë vazhdimisht energjinë.
Vendi afrikanoverior në zhvillim po njeh rritje. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka vlerësuar atë për vitin 2015 me një rritje reale prej 4%. Falë ekonomisë në rritje, vendit i është mundësuar që së fundmi të lidhë edhe fshatra të izoluar në rrjetin energjetik kombëtar. Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Maroku, brenda dhjetë viteve do të duhet të konsumojë dyfishin e kapacitetit energjetik të sotëm, nëse rritja ekonomike vijon me këto ritme. Mohammed VI. dhe prodhuesit e energjisë së rinovueshme, sigurisht se duan të përfitojnë nga kjo rritje. “Ka pasur tre ndërrime kabinetesh qeveritare qëkurse ia hymë kësaj pune”, thotë kryemenaxheri i ndërmarrjes shtetërore për energjinë diellore, MASEN (Moroçan Agency for Solar Energy), Mustapha Bakkoury. “Por projekti ecën sipas planit, pasi Mbreti e ka mbështetur atë pa rezerva”.
Impianti është i pari ndër pesë të tillë të planifikuar të ndërtohen në Marok. Sipas “The Guardian”, muajin tjetër do të vihet në funksionim i pari ndër shumë pjesë të centralit në Ouarzazate. Deri në 2020, të pesë impiantet e planifikuara do të mund të përfundojnë dhe gjithsej do të përfitohet një sasi totale prej 2000 megavatësh. Një synim ambicioz që marokenët e kanë vënë para syve, e që tashmë e kanë dëshmuar se mund t’ia arrijnë. Kohëzgjatjen dhe eficensën që ata po arrijnë në fushën e energjisë së rinovueshme, do të duhej ta merrnin shembull shumë shtete europiane.
Sigal