Maqedonia e Veriut hap kopshtet, shkollat pritet të fillojnë në tetor

305
Sigal

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në Maqedoninë e Veriut kanë hapur dyert të mërkurën për fëmijë, pas gjashtë muajsh mbylljeje për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Të gjithë personat që janë pjesë e procesit për kujdesin e fëmijëve, në momentin që do të kenë dyshimin më të vogël për simptoma, të cilat mund të hedhin dyshime infektimi nga koronavirusi duhet menjëherë të reagojnë dhe të veprojnë në përputhje me protokollet, mbylljen e hapësirave dhe trajtimin e personave të rrezikuar”, ka deklaruar ministrja, Jagoda Shahpaska.

Për punën e këtyre institucioneve të kujdesit janë miratuar protokolle të rrepta për mbrojtje nga sëmundja COVID-19, që shkakton ky virus.

Sipas ministrisë në çdo klasë nuk do të ketë më shumë se 15 fëmijë të moshës prej 2 deri 6 vjeç dhe jo më shumë se gjashtë fëmijë të moshës prej 9 muaj deri në 2 vjeç.

Punonjësit janë të detyruar të punojnë me maska dhe secilit fëmijë duhet t’i matin temperaturën e trupit para se t’i pranojnë nëpër kopshte. Hapësirat duhet të dezinfektohen çdo dy orë ndërsa institucioni duhet të organizojë punën për të shmangur kontaktet midis fëmijëve nga grupe të ndryshme.

Gjithashtu autoritetet përkatëse bëjnë me dije se në kopshte është parashikuar që të pranohen rreth 19 mijë fëmijë, por deri më tani në këto institucione janë pranuar rreth 14 mijë. Para mbylljes, në kopshtet e Maqedonisë së Veriut ofrohej përkujdesje për rreth 50 mijë fëmijë. Kopshtet sikur edhe shkollat u mbyllën më 10 mars.

Ndërkohë pritet që me 1 tetor të hapen dhe shkollat për klasën e parë deir në klasën e tretë ndërkohë që për klasat e tjera mësimi sërish mund të zhvillohet në mënyrë online.

Por duket se një vendim i tillë është kundërshtuar nga unioni i shkollave të mesme të cilët kanë protestuar para institucioneve duke kërkuar kthimin e nxënësve në shkolla, në të kundërtën ka paralajmëruar bojkotin e mësimit online.