Maqedonia 100 % dëmshpërblim shqiptarëve të ‘Lagjes së Trimave’

459
MAQEDONI – Banorët e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë do të dëmshpërblehen 100 % nga qeveria maqedonase për dëmet e konsiderueshme në përmasat e një lufte që shkaktoi në komunën e banuar nga shqiptarët përleshja e armatosur mes policisë dhe grupit të cilësuar terrorist.
Ishte ministri i Pushtetit Lokal Lirim Shabani i cili komunikoi këtë vendim ndërsa kryesoi delegacionin e Qeverisë së Maqedonisë që këtë të martë vizitoi Kumanovën.
Po ashtu, nga nesër do të fillojë normalisht mësimi në shkolla, e po ashtu do t’i shpërndahet ndihmë humanitare qytetarëve. Ndërkohë, qendra e Shëndetit publik do të ndërmarrë masat për sëmundje të mundshme në Lagjen ku janë realizuar aksionet.
“Qeveria ka vendosur të bëjë zhdëmtim të shtëpive dhe pasurisë të banorëve të kësaj lagje në tërësi, 100%. Qeveria me këtë rast ka ofruar edhe ndihmë strehimi dhe mbulim të të gjitha harxhimeve për qira apo strehim deri sa të përfundojë sanimi i shtëpive”, deklaroi ministri për vetëqeverisje lokale Lirim Shabani.
Ai tha se gjatë këtyre ditëve Komisioni i ngritur do të bëjë edhe evidentimin e atyre familjeve dhe shtëpive të cilët kanë pësuar dëmë gjatë këtij aksioni. Ministri Shabani tha se këtyre familjeve fillimisht, si ndihmë e parë humanitare do t’ju ndahen nga 100 mijë denarë dhe mbulim në tërësi i të gjitha harxhimeve tjera dhe dëmeve që u shkaktuan.
Po ashtu, në bashkëpunim me Komunën e Kumanovës dhe ndërmarrjeve të ndryshme publike, qeveria do të punojnë në krijimin e kushteve për banim dhe ndërtim, pastrimin e rrugëve, dezinfektimi i lagjes, rregullimi i rrjetit e të gjitha dëmeve të tjera që la përleshja e armatosur e së shtunës.
Ndërkohë mësohet se Sekretari shtetëror në Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohri, Ejup Alimi, do të kryesojë Komisionin e formuar nga Qeveria e Maqedonisë për vlerësimin e dëmit të shkaktuar gjatë aksionit policor në Kumanovë. Anëtar të këtij Komisioni janë përfaqësues të disa ministrive dhe pushtetit vendor në Kumanovë.
Sigal