Manovrat luftarake reflektojnë tensionin Kinë-Tajvan

130
Sigal

Tensionet mes Pekinit dhe Taipeit u shfaqën edhe më tepër të dielën ndërsa luftanijet kineze dhe tajvaneze u përballën në ujërat pranë Tajvanit, para përfundimit të planifikuar të manovrave luftarake katër ditore.

Vizita javën e kaluar e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi, në Tajvan shkaktoi një reagim të paprecedentë nga Kina e cila nisi manovra ushtarake në shkallë të gjerë përreth ishullit.

Për herë të parë Pekini lëshoi raketa balistike që fluturuan mbi kryeqytetin e Tajvanit ndërsa ndërpreu dialogun me Uashingtonin në disa fusha.

Rreth 10 anije luftarake të Kinës dhe Tajvanit lundruan pranë ngushticës së Tajvanit, ndërsa disa luftanije kineze shkelën vijën ndarëse jozyrtare mes dy vendeve, sipas një individi që ka dijeni për çështjen.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se shumë anije, avionë dhe dronë ushtarakë kinezë, po simulonin sulme në ishull dhe vijën bregdetare, ndërsa tha se kishte dërguar mjete ajrore dhe luftanije për të reaguar “në mënyrën e duhur”.

Në një deklaratë më vonë të dielën, ministria tha se kishte zbuluar 14 anije luftarake dhe 66 avionë kinezë në ngushticën e Tajvanit dhe përreth. Nuk është e qartë nëse Kina u dha fund manovrave të dielën, ashtu siç ishte paralajmëruar më parë.

Por një komentator në televizionin shtetëror kinez tha në mbrëmje vonë se ushtria kineze tani do të kryejë stërvitje të vazhdueshme në anën e Tajvanit, duke u shprehur se, detyra historike e ribashkimit me Kinën mund të realizohet. Të dy palët po tregohen të përmbajtura, tha personi me dijeni për çështjen.

Tajvani tha se sistemet e mbrojtjes ajrore, detare dhe tokësore ishin në gatishmëri. Taipei tha se avionët luftarakë të modelit F-16, të pajisur me raketa të avancuara, po patrullonin hapësirën ajrore.

Duke folur gjatë një vizite në Bangladesh, kryediplomati kinez Wang Yi tha se veprimet e Pekinit ishin “legjitime, të arsyeshme, në përputhje me ligjin” dhe synonin mbrojtjen e “sovranitetit të shenjtë” të Kinës.