Macron: Putin të promovojë qetësinë dhe dialogun në Bjellorusi

223
Sigal

Presidenti francez, Emmanuel Macron i bëri thirrje sot homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të promovojë qetësinë dhe dialogun për të zgjidhur krizën në Bjellorusi, gjatë një interviste telefonike, sipas Elysee.

“Gjatë këtij diskutimi, të mbajtur në prag të një samiti të jashtëzakonshëm të BE-së, kreu i Shtetit francez theksoi rolin konstruktiv që BE dëshiron të luajë, në mënyrë që dhuna kundër popullatës të ndërpritet menjëherë dhe që një zgjidhje politike të mund të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur, duke respektuar aspiratat e shprehura në mënyrë paqësore dhe masive prej disa ditësh”, saktësoi Presidenca.

Macron e ka diskutuar edhe më parë situatën në Bjellorusi me Vladimir Putinin më 12 gusht, duke shprehur shqetësimin e tij shumë të madh pas rizgjedhjes së presidentit autoritar Alexander Lukashenko për një mandat të gjashtë, pas një zgjedhjeje të shenjuar nga dyshimi i fortë për parregullsi.

Nga ana e tij, Kremlini ka paralajmëruar kundër çdo përpjekje për ndërhyrje të huaj në Bjellorusi, duke thënë se shpreson për një normalizim të shpejtë të situatës.