Macron kërkon heqjen e embargos për Katarin

558
Presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi heqjen sa më shpejtë që të jetë e mundur, të masave të embargos që prekin popullsinë e Katarit, thuhet në një komunikatë të Elizesë, të publikuar në përfundim të një takimi mes presidentit francez dhe emirit të Katarit, sheikut Tamim Al Thani.
Që prej tre muajsh, Katari është nën një embargo nga fqinjët e tij të Gjirit, mes të cilëve Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini, që e akuzojnë se mbështet terrorizmin.
“Presidenti francez kërkoi që masat e embargos që prekin popullsinë e Katarit, në veçanti familjet dhe studentët, duhet të hiqen sa më shpejtë të jetë e mundur”, thuhet në këtë komunikatë.
“Macron dhe Tamim Al Thani biseduan për krizën që është duke vazhduar mes Katarit dhe disa vendeve të Lindjes së Mesme. Presidenti i republikës shpreh shqetësimin e tij përballë tensioneve që kërcënojnë stabilitetin rajonal, duke penguar një zgjidhje politike të krizës dhe efikasitetin e luftës së përbashkët kundër terrorizmit”, thekson presidenca franceze.
Sigal