LVV: Shqetësimet tona për marrëveshje të fshehtë mes Thaçit e Vuçiqit u vërtetuan nga deklaratat e zyrtarëve të SHBA-së

49

Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se shqetësimi i tyre për marrëveshje të fshehtë mes Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit është vërtetuar këto ditë nga deklaratat e zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

LVV në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se partitë e PLAN-it i akuzonin për paranojë, por sipas tyre, nuk është se thjeshtë janë naiv por qëndrojnë pas presidentit të cilin e votuan dhe të cilit i shërbejnë.

“Shqetësimi që ka ngritur Lëvizja VETËVENDOSJE! për marrëveshjen e fshehtë mes Thaçit dhe Vuçiqit, u vërtetua këto ditë edhe nga deklaratat e zyrtarëve në ShBA. Partitë e PLAN-it na akuzonin për paranojë, por vetë nuk është se thjeshtë janë naiv por qëndrojnë pas këtij presidenti të cilin e votuan dhe të cilit i shërbejnë”, shkruan LVV.

Derisa këtë javë pritet rifillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësinë e Bashkimi Evropian, ish Këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, John Bolton, pohoi se çështja e shkëmbimit të territoreve është përmendur si mundësi në bisedat ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

Komentet e Bolton duket se pohojnë atë që është përfolur shpesh se çështja e shkëmbimit të territoreve, ka qenë një prej mundësive të diskutuara mes presidentëve Thaçi e Vuçiq në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve.

Pas këtyre komenteve të Bolton, nuk ka pasur reagime nga Zyra e presidentit.