Liderët botërorë: Marrrëveshja e Parisit s’mund të rinegociohet

499
Tërheqja e ShBA nga marrëveshja e Klimës së Parisit nuk është pritur mirë nga aktorët më të mëdhenj të politikave ndërkombëtare, teksa shumë prej tyre kanë shprehur zhgënjim të thellë mbi vendimin e Presidentit amerikan, Donald Trump. Shtetet e para që reaguan ishin Franca, Italia dhe Gjermania, të cilat përmes një qëndrimi të përbashkët, e bënë të qartë se akordi është i panegociueshëm. Presidenti Francës, Emmanuel Macron, tha se pakti i Parisit është e vetmja mundësi që t’a bëjmë planetin madhështor sërish, duke përdorur kështu notat ironike në drejtim të Trump.

Vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Klimës që u arrit në Paris në dhjetor të vitit 2015 nuk është pritur mirë nga faktorët më të rëndësishëm të arenës ndërkombëtare, teksa liderët botërorë kanë shprehur zhgënjim në lidhje me veprimin e liderit të Uashingtonit, duke nënvizuar se akordi që është firmosur nga 195 palë, nuk mund të rinegociohet.

Reagimi më i fortë erdhi padyshim nga Franca, Italia dhe Gjermania, të cilat përmes një qëndrimi të përbashkët e konsideruan paktin e Parisit diçka të pakthyeshme.

Sipas tyre, Marrëveshja e Parisit është një arritje historike, e cila mund t’i vërë fre shkatërrimit të mëtejshëm të planetit.

Përtej qëndrimit të përbashkët, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, mbajti edhe një konferencë për mediat, ndërsa nuk mungoi gjuha ironike:

“Ne do të dalim të suksesshëm, pasi jemi të vendosur. Pavarësisht se ku jetojmë apo pavarësisht se kush jemi, ne ndajmë një përgjegjësi të përbashkët. Ta bëjmë planetin të madh sërish. Faleminderit”, ishin fjalët e Macron, i cili thumboi në këtë mënyrë Presidentin Trump, me anë të sloganit që ky i fundit ka përdorur gjatë fushatës elektorale dhe më tej.

Tërheqja nuk u prit mirë as nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Në një prononcim për mediat, zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriç, nënvizoi se Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres, ka nisur bisedime me qeverinë amerikane, pasi e konsideron ShBA-në një faktor kyç në zbatimin e akordit për të cilin kanë firmosur 195 shtete.

Me nota zhgënjyese janë shprehur edhe vendet e tjera, përfshirë Kinën, e cila mbetet një prej shteteve më problematike për nivelin e ndotjes së ambientit.

Pekini zyrtar konfirmoi vendosmërinë për t’a dërguar paktin deri në fund.
Sigal