Kushtet e vështira në Qendrat e azilit

467
Një zjarr i shkaktuar mbrëmë në Qendrën për Azilkërkues në Vizbeg ka kthyer sytë e autoriteteve nga emigrantët që po mbahen të mbyllur me muaj të tërë, si dëshmitarë në proceset kundër trafikuesve. Zjarri i shkaktuar qëllimisht, në shenjë revoltë për mbajtjen e stërzgjatur, mbrëmë ka tubuar ekipet speciale të policisë, ekipe të misioneve të huaja, si dhe përfaqësues të Ministrisë për Punë Sociale dhe Prokurorisë. Momenti kur një prej dhomave është përfshirë nga flakët është shfrytëzuar edhe nga emigrantët e tjerë që kanë nisur të revoltohen duke kërkuar lirinë. Këto pamje amatore të filmuara nga vetë emigrantët, flasin për momentin e ndezjes së zjarrit.
Drejtori i kësaj Qendre, Strasho Angelovski nuk deshi të komentonte rastin duke thënë për këtë gjë, kompetente është vetëm MPB-ja. Shkurt, ai komentoi se zjarri nuk ka lënë asnjë pasojë serioze. Nga MPB-ja thonë se rasti po hetohet.
“Afro 8 persona janë mbyllur në një dhomë dhe kanë vendosur krevate e dollapë në derë. Kanë filluar të thërrasin slogane dhe të kërcënojnë se do t’i vënë flakën dhomës. Janë marrë masat e menjëhershme, është thirrur ekipi zjarrfikës, ekipi i policisë “Alfa” dhe stacionit policor të Butelit. Pas orës 1 situata është normalizuar dhe tani po punohet në zbardhjen e rastit. Shkaku i këtij incidenti do të tregohet nga vetë personat që e kanë shkaktuar atë, në procesin e mëtutjeshëm, por supozojmë se kërkesa e tyre është që të përshpejtohen proceset”, deklaroi Ivo Kotevski, Zëdhënës i MPB-së
Ky incident është bërë shkak që për dy familje, të niset procedurë e menjëhershme për azil.
“Revolta e tyre ishte e pritshme, pasi ky grup gjendet aty prej muajit prill. Ata i kanë dhënë deklaratat e nevojshme dhe kërkesat për azil, dhe në këtë mënyrë e shprehën revoltën e tyre. Kur arritëm në vendngjarje, pamë forca të shumta policore, zjarrfikës, nëpunës të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të cilët i morën kërkesat për azil të emigrantëve. Këto janë afro 6 familje, që kohë më parë u transferuan nga qendra e Gazi Babës për shkak të kushteve më humane”, u shpreh Mersiha Smailoviç, OJQ ‘Legis’.
Sipas pohimeve të OJQ-së “Legis”, dje nisën revoltë edhe emigrantët që mbahen në Qendrën Për pritje në Gazi Babë. Por nga policia thonë se një ngjarje e tillë nuk është regjistruar nga policia.
Sigal