Kundërpërgjigjet Moska, përforcon mbrojtjen në Siri. Tillerson: Nuk habitemi

575
Shtetet e Bashkuara janë “të zhgënjyera por jo të surprizuara” nga qëndrimi i Rusisë mbi sulmin amerikan ndaj një baze ajrore siriane, që dyshohej se magazinonte armë kimike. Aleati më i madh i Sirisë, Rusia, akuzoi Shtetet e Bashkuara se ka inkurajuar terroristët me këtë akt unilateral, por sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson ka shprehur keqardhje për këtë reagim.

Sipas tij, kjo dëshmon mbështetjen e vazhdueshme ruse ndaj regjimit të Assad, që kryen sulme të tmerrshme ndaj vetë popullit sirian. Të paktën 6 persona raportohen të jenë vrarë në sulmet amerikane me raketa një ditë më parë. Kjo goditje erdhi pas sulmit kimik të së martës, pranë qytetit Khan Sheikhoun, ku 89 persona humbën jetën, mes tyre 18 gra e 33 fëmijë.

Sakaq, Moska ka vendosur t’i kundërpërgjigjet këtij sulmi, duke përforcuar mbrojtjen kundër-ajrore në Siri. Do të mbyllet gjithashtu edhe një linjë telefonike me Shtetet e Bashkuara, e projektuar për të shmangur përplasjet mes forcave ajrore ruse e amerikane mbi Sirinë. Një anije luftarake ruse ka hyrë në Mesdheun Lindor të premten, dhe raportohet se po i drejtohet dy gjuajtësve të Marinës Amerikane, që organizian edhe sulmet me raketa në siri. Fregata ruse, Admiral Grigorovich RFS-494 është e armatosur me raketa të avancuara lundruese, të tipit Kalibr. Ndërkohë agjensitë ruse të lajmeve raportojnë se fregata është nisur për një udhëtim rutinë në portin sirian të Tartus.
Sigal