“Kumanova”, burg të përjetshëm edhe për një tjetër të akuzuar

489
U dha dënimi burg i përjetshëm edhe për të akuzuarin tjetër në rastin e Kumanovës, Sulejman Osmani. Ai bëhet i dënuari i tetë me burg të përjetshëm, për ngjarjet në Lagjen e Trimave. Gjykatësi i lëndës Goran Boshevski, në seancën e fundit tha se Osmani shpallet fajtor për dy vepra penale dhe atë terrorizëm dhe organizatë terroriste.
Sipas gjykatësit, Osmani në asnjë rast nuk ka mohuar se ka qenë pjesëmarrës në ngjarjet e 9-10 majit por vetëm ka mohuar akt akuzën. Sulejman Osmani vendimin e ka pritur me duartrokitje, duke brohoritur rroftë UÇK-ja dhe duke thënë se me këtë nuk ndëshkohet vetëm ai, por 10 milion shqiptarë.
Avokati Naser Raufi tha se gjykata themelore Shkupi 1 dha edhe një vendim me burg të përjetshëm duke mos pasur asnjë provë për këtë vepër penale.
“I ashtuquajturi gjyqi Shkupi 1, që është para një vdekje klinike, i dha edhe një dënim më burg të përjetshëm Sulejman Osmanit. Edhe për këtë dënim, sipas meje dhe provave bisedohet për një rast të montuar nga shërbimet sekret dhe në arsyetimin që do të japë me shkrim do ta këtë shumë problem se si do të arsyeton mos pranimin e provave tona. Dua të them se në arsyetimin e këtij gjykimi, gjykata mos pranimin e provave e arsyeton se nuk kanë fuqi relevante. Ku mund të dijë gjykata se çfarë do të dalë nga dëshmitarët që ne i kemi propozuar?” – tha avokati Naser Raufi.
Vëllai i Sulejam Osmanit kërkon që ndërkombëtarët të marrin rastin në duart e tyre. Vetëm nga familja e tij tre persona janë dënuar me burg të përjetshëm.
“Kjo nuk është drejtësie të burgosen persona me burg të përjetshëm për rast të montuar, pasi që këta janë raste të montuara. Ky nuk është rasti i parë pasi që gjithmonë na kanë montuar dhe bëj apel që këtë rast ta marrin ndërkombëtarët. Nga familja kam dy nipa me burg të përjetshëm dhe Sulejman Osmani, tre” – u shpreh Miftar Osmani, vëllai i Sulejman Osmanit.
Avokatët e rastit të Kumanovës të cilët një ditë më parë morën vendimin e gjykatës për 37 të akuzuarit, presin që të marrin të shkruar vendimin dhe ta ankimojnë atë në Gjykatën e Apelit dhe më pas edhe në Gjykatën Supreme. Tër ta, dënimet e tilla janë të pabaza.
“Patjetër që do të ankimojmë kemi të drejtë për dy ankesa pasi që është në pyetje burgu i përjetshëm, në Gjykatën e Apelit dhe në Supreme. Por jemi në pritje që gjykimi të dorëzohet me shkrim tek pala mbrojtëse”, theksoi avokati Naser Raufi.
Një ditë më parë gjykata dënoi 33 pjesëtarë të grupit të Kumanovës me gjithsej 746 vite burg dhe shtatë persona me burg të përjetshëm. Në mungesë të dëshmive, gjykata liroi nga të gjitha akuzat katër persona.
Sigal