Kryeministrja e Serbisë: Gjykatësit e prokurorët serbë nuk janë betuar para Thaçit

459
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, tha të premten se gjykatësit dhe prokurorët serbë nuk e kanë bërë betimin para presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pavarësisht se kanë dhënë deklaratë të veçantë dhe neutrale.
“Që të keni informacione të sakta gjykatësit tanë nuk kanë bërë kurrfarë betimi, por kanë dhënë një deklaratë të veçantë, neutrale ndaj statusit. E vërteta është e rëndësishme”- tha Brnabiç përmes një postimi në Twitter.
Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Brnabiç ka reaguar ndaj një teksti të betimit që është shfaqur në mediat sociale.
Sipas këtij teksti, gjykatësit dhe prokurorët serbë, para presidentit Thaçi, kanë thënë: “Solemnisht deklaroj se gjatë shërbimit si gjykatës i Republikës së Kosovës, do t’i mbetem besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe do të kryej punën e gjykatësit me nder, përgjegjësi dhe në mënyrë të paanshme, duke respektuar rregullat e etikës profesionale”.
Në zyrën e presidentit të Kosovës, më 20 tetor, janë betuar 40 gjykatës dhe 13 prokurorë nga veriu i Kosovës, njofton Rel.
Sigal