Kriza koreano-veriore, testohet një raketë balistike, por pa sukses

597
Koreja e Veriut ka testuar në mënyrë të pasuksesshme një raketë balistike, lajm që konfirmohet nga zyrtarë amerikanë e koreano-jugorë. Menjëherë ka reaguar presidenti amerikan Donald Trump i cili e ka quajtur këtë veprim një mosrespektim të dëshirave të Kinës, ndërkohë që sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, ka paralajmëruar se do të ketë pasoja katastrofike në rast se Koreja e Veriut nuk heq dorë nga ambiciet e saj bërthamore.

Koreja e Veriut ka testuar një raketë balistike. Lajmi konfirmohet nga zyrtarët ushtarakë koreano-jugorë e amerikanë, të cilët thonë se raketa ka shpërthyer vetëm disa sekonda pas nisjes, pa u larguar kështu nga territori koreano-verior.

Koreja e Jugut bën me dije se raketa është nisur nga një provincë në jug të Penianit, në orët e para të së shtunës, me orën lokale, por nuk dihet ende se për çfarë lloji rakete bëhet fjalë.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit amerikan Donald Trump, i cili me anë të Twitter-it, u shpreh se Koreja e Veriut nuk kishte respektuar dëshirat e Kinës dhe presidentit të saj, edhe pse testi në fund rezultoi i pasuksesshëm.

Ndërkohë, deri më tani, nuk ka patur asnjë reagim nga Koreja e Veriut. Tensionet në rajon janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit, teksa të dy Koretë po zhvillojnë stërvitje e ushtrime ushtarake. Veriorët kanë bërë përpjekje të përsëritura për të zvogëluar kokat e raketave dhe për t’i përshtatur ato në raketa me rreze të gjatë veprimi, të afta për të arritur deri në Shtetet e Bashkuara.

Lëshimi i kësaj rakete erdhi vetëm pak orë pasi sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson kërkoi ndihmë nga pjesa tjetër e botës që Koreja e Veriut të heqë dorë nga ambiciet bërthamore. Tillerson paralajmëroi “pasoja katastrofike” në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB, duke thënë se në rast nevoje, Shtetet e Bashkuara do të përdorin forcën ushtarake.

Sekretari i shtetit akuzoi anëtarët e Këshillit se nuk kanë zbatuar tërësisht sanksionet ekzistuese ndaj Veriut dhe i kërkoi Kinës veçanërisht, të përdorë lidhjet e saj tregtare si ndikim.
Sigal