Kreu i opozitës greke në krye të qeverisë teknike, pas dorëheqjes së Tsipras

432
Ndryshon situata në Greqi, një ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Alexis Tsipras. Lideri i partisë opozitare Demokracia e Re, Evangelos Meimarakis, ka marrë sot zyrtarisht mandatin për të krijuar qeverinë e re nga presidenti i vendit Prokopis Pavlopoulos.
“Do të impenjohemi për të gjetur një zgjidhje sepse kemi detyrimin që ta bëjmë”-citohet të ketë thënë Meimarakis për agjencinë greke të lajmeve ANA.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një qeverie me një kryeministër nga SYRIZA, siç është zëvendës kryeministri në ikje Yannis Dragasakis. 61 vjecari Meimarakis morri drejtimin e Demokracisë së Re pas dorëheqjes së ish kryeministrit Antonis Samaras që pasoi JO-në e grekëve në referendumin e 5 korrikut. Tashmë Meimarakis ka tre ditë kohë për të krijuar qeverinë e re, por shanset duken të pakta, pasi partitë e tjera pro-europiane si PASOK dhe To Potami kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të krijojnë mazhoranca të reja e as të mbështesin ekzekutivin në minorancë.
“Zgjedhjet nuk janë të nevojshme, do të përpiqem të krijoj një qeveri të re për të evituar efektet negative afatgjatë që do të sillnin zgjedhjet”-tha Meimarakis.
Ndërkaq anëtarët rebelë të Syrizas, që shkaktuan dhe dorëheqjen e qeverisë janë gati për krijimin e partisë së re. “Uniteti popullor” është emri më i ri i formacionit politik që përbëhet nga 25 deputetët e shkëputur nga partia e Aleksis Cipras. Kjo parti do të udhëhiqet nga ish minsitri i Energjitikës, Panajotis Lafazanis, i cili ishte një nga kundërshtarët më të fortë të marrëveshjes se ndihmës për Greqinë.
Në listën e deputetëve në formacionin e ri që u publikua nga gazeta “Ta nea”, bien në sy mungesa e kryetares së Parlamentit, Konstantopulou dhe të ish ministrit të financave Yanis Varoufakis.
Pasditen e së enjtes kryeministri Aleksis Cipras dha dorëheqjen pasi partia e tij doli kundër marrëveshjes së ndihmës me kreditorët ndërkombëtarë. Gati një e treta e deputetëve SYRIZA-së abstenuan ose votuan kundër kushteve të marrëveshjes së re javën e kaluar çka solli efektivisht humbjen e shumicës në parlament të Cipras. 
Sigal