Kreu i ILD, Metani: Forcimi i shtetit të së drejtës, dimension i rëndësishëm i negociatave me BE-në

Institucione të drejtësisë nga rajoni u bënë bashkë sot në Tiranë në konferencën dyditore “Shërbimet e inspektimit të drejtësisë dhe sfidat e integrimit”, për të shkëmbyer përvoja, për të trajtuar sfida që lidhen me integritetin gjyqësor dhe për të diskutuar mbi rolin e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Konferenca u realizua si një bashkëpunim mes Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Prezencës së OSBE-së në Tiranë, si dhe misioneve të OSBE-së në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë dhe Shkup.

Sigal

Në dy ditët e kësaj konference, diskutimet po fokusohen mbi tre tema të mëdha: parimet dhe funksionimi i shërbimeve të inspektimit, roli i tyre në mbrojtjen e standardeve demokratike dhe  promovimin e integritetit, si dhe kontributi i këtyre institucioneve në kontekstin e procesit të integrimit në BE.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani në fjalën e tij u shpreh se, “forcimi i shtetit të së drejtës, si një gur themeli në një shoqëri demokratike, por edhe si një dimension i rëndësishëm prezantues i secilit vend, në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian janë një prioritet i përbashkët i secilit”.

“Sa më i përgjegjshëm një magjistrat, aq më i garantuar është qytetari për të drejtat e veta. Sa më i pavarur magjistrati, aq më demokratikisht ecën shoqëria. Por, edhe standardet e një sistemi funksional llogaridhënës të magjistratëve, e bëjnë drejtësinë më eficiente”, tha Metani.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë u ndal edhe tek Reforma në Drejtësi e vitit 2016.

“Zbatimi i kësaj reforme nuk është i lehtë, por as i pamundur dhe rezultatet e saj janë një indikator i rëndësishëm për vendin tonë në negociatat me Bashkimin Evropian”, tha Metani.

Ai nënvizoi se, “respektimi i të drejtave të njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës përbëjnë një aset kryesor për Bashkimin Evropian, e për pasojë edhe për secilin nga ne, vendet aspirante. Në këndvështrimin tim, kjo nuk duhet të reflektohet thjesht si detyrë e kryer në raportet e përvitshme të progresit të vendeve tona, e së fundmi prej dy vitesh edhe në raportin e Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës, por kjo dinamikë duhet parë si kontribut i secilit prej nesh, së pari për shoqëritë e vendeve tona”.