Kosovë, Vendimi i Gjykata Kushtetuese: Hashim Thaçi të krijojë qeverinë e re!

499
Sigal

Argumentimi: Koalicioni i Ramush Haradinajt e aleatëve është i pavlefshëm pasi është paszgjedhor

Ditën e djeshme, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë të drejtë Hashim Thaçit të krijojë qeverinë e re, duke e quajtur të paligjshëm vendimin e partisë së Ramush Haradinajt e aleatëve që firmosën një marrëveshje pas zgjedhjeve që të krijojnë qeveri pasi kanë një shumicë mbi 50 për qind. Në aktgjykimin e Kushtetuese thuhet se së pari mundësinë për të formuar qeverinë e ka Partia Demokratike e Kosovës, pastaj partitë ose partitë tjera. Në vendim thuhet se presidentja duhet t’i propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia ose koalicioni partiak që ka numrin më të madh të vendeve në Kuvend. Gjykata Kushtetuese nuk njeh marrëveshjen  PDK-LDK-NISMA, duke i dhënë mundësinë Thaçit të formojë qeverinë e re të Kosovës.

VLERËSIMI I GJYKATËS

Në vlerësimin e publikuar të kësaj gjykate, i cili përmban 24 faqe, thuhet se “përdorimi i termave ‘parti politike ose koalicion’, kur përmenden në lidhje me nenin 84 (14) dhe me nenin 95, paragrafët 1 dhe 4, të Kushtetutës, nënkupton partinë politike ose koalicionin që është regjistruar sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, merr pjesë si subjekt zgjedhor, është i përfshirë në fletëvotim të zgjedhjeve, e kalon pragun dhe rrjedhimisht fiton vende në Kuvend”. Gjykata e ka publikuar këtë vlerësim me kërkesën e presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, të bërë më 19 qershor. E gjithë kjo çështje, u bë temë interpretimesh të ndryshme në rrafshin kushtetues, që kur blloku i partive politike në opozitë – Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën , me përkrahjen edhe të Lëvizjes Vetëvendosje – arriti një koalicion pas-zgjedhor. Koalicioni ka për qëllim, siç thuhet, t’ia bëjë të pamundur PDK-së, formimin e qeverisë. Udhëheqësit e këtyre katër subjekteve politike në opozitë, janë zotuar një ditë më parë, përmes një deklarate të përbashkët, se nuk do të hyjnë në koalicion me PDK-në.

HASHIM THAÇI

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përshëndetur vendimin e gjykatës Kushtetuese të Gjykatës së Kosovës dhe ka shpjeguar se e respekton plotësisht vendimin e këtij institucioni, e cila përcakton fituesin e zgjedhjeve dhe të drejtën e mandatit për formimin e institucioneve të reja. Thaçi këtë e ka shpjeguar në faqen e ti zyrtare në FB, ku ka shkruar -“Sapo mora Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës që e përcakton fituesin e zgjedhjeve dhe të drejtën e mandatarit për formimin e institucioneve të reja, sipas Nenit 95, paragrafi 4 të Kushtetutës si dhe Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme që përcakton qartë mënyrën dhe afatet e krijimit të koalicioneve. E respektoj këtë vendim plotësisht.”