Kosovë, Thaçi: Nuk do ketë zgjedhje të parakohshme. Kandidoj për president në 2016

489
Zëvendëskryeministër dhe ministri Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për emisionin “Monitor” në RTK ka thënë se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme e as tërheqje nga nënshkrimet e marrëveshjeve në Bruksel. Thaçi ka thënë se opozitës nuk i interesojnë fare marrëveshjet për të cilat po protestojnë, por se po bëjnë teatër për interesa politike. Ai ka deklaruar se institucionet e Kosovës, janë të qëndrueshme. “Qeveria dhe institucionet janë stabile, janë efikase pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e Kuvendit. Kosova nuk është në krizë, nuk ka bllokadë, Ka përpjekje të liderëve opozitarë për të penguar punën e Kuvendit”, ka thënë Thaçi.

“Zmbrapsje nuk do të ketë. Ne nuk do të lejojmë që të djegin Kuvendin e Kosovës e as ta sulmojnë Policinë e Kosovës. Nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme e as zgjerim të koalicionit”, është shprehur Thaçi. Ai ka thënë se sjelljet e fundit të opozitës, janë si pasojë e “ballafaqimit të tyre me realitetin politik në Kosovë”. “Askush nuk mund të pretendojë ta zaptojë pushtetin. Pse ata nuk janë në pushtet, duhet ta pyesin vetveten, sepse janë në kundërshtim me parimet, vlerat dhe standardet e demokracisë”, ka thënë ai. Sipas Thaçit opozita nuk po sjellë argumente kundër marrëveshjeve të arritura në Bruksel. “Gazi lotësjellës është qasja e tyre në mungesë të argumenteve, janë gurët, sulmi ndaj institucioneve, sulmet fizike ndaj deputetëve, janë shufrat metalike dhe armët në Kuvend”, ka deklaruar Thaçi.

Thaçi i quan injorancë të lidershipit opozitar veprimet e fundit të opozitës, ndërsa shton se ka pasur deputetë nga opozita të cilët e kanë kontaktuar për t’i treguar se nuk pajtohen me veprimet e shefave të tyre. Thaçi ka thënë se nuk do të lejojë të përsëritet viti 1997 i Shqipërisë në Kosovë, ndërsa theksoi se do të jetë president vendi, ashtu siç e parasheh marrëveshja mes koalicionit PDK-LDK. Ka lavdëruar punën e Presidentes Atifete Jahjaga, duke thënë se mund të kandidojë për presidente nëse dëshiron. “Secili që ka 30 nënshkrime mund të kandidojë”, ka thënë Thaçi.
Sigal