Kosovë, së shpejti bisedat për demarkacionin me Serbinë

449
Një tjetër proces demarkacioni pritet ta nis Kosova, tani me Serbinë. Në një intervistë për KTV-në, ministrja për dialog Edita Tahiri ka konfirmuar se në takimin e radhës do të paraqesin në Bruksel planin e tyre për këtë vit. Dhe këtu përveç demarkacionit përfshihen edhe reparacionet e luftës, si çështja e të pagjeturve, kthimi i pensioneve, depozitave bankare dhe dëmshpërblimet për dëmet që Serbia i ka bërë në Kosovë.
Tahiri, ka thënë se do të përqendrohen gjithashtu në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara. Këtu ka përmendur lëvizjen e lirë dhe largimin e tabelave ‘prova’, diplomat e librat e kadastrës. Ministrja thotë se do të provohet të krijohet një grup punues trepalësh BE-Kosovë-Serbi, për të shuar strukturat paralele.
Pa u bërë kjo, Tahiri ka insistuar se nuk vazhdohet me funksionalizimin e Asociacionit. Ministrja i ka bërë ftesë të gjitha partive opozitare, që të bëhen pjesë e bisedimeve në Bruksel.
Valon Murtezaj – këshilltar për Punë të Jashtme i Kryeministrit ka treguar se një delegacion i lartë i BE-së do ta vizitojë Kosovën të premten dhe me këtë rast pritet që kryeministri Isa Mustafa përfundimisht të vendosë nëse do ta mbajë premtimin për të mos udhëtuar në Bruksel.
Sigal