Kosovë: Përfundon numërimi i votave – Vetëvendosje fituese në Prishtinë e Prizren

571
Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëroi për të hënën shpalljen e rezultateve përfundimtare të raundit të dytë të zgjedhjeve për pushtetin komunal, pas numërimit të votave me kush dhe atyre të dërguara me postë. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje shpalli fitoren në zgjedhjet për kryetar të komunës të Prishtinës dhe asaj të Prizrenit pas numërimit të këtyre votave.
Shpend Ahmeti pritet të udhëheqë edhe për katër vjet me kryeqytetin pas një gare të ngushtë me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Arban Abrashi, të cilët kanë një dallim prej 365 votash ndërmjet tyre.
Ndërsa komunën e Prizrenit do ta drejtojë Mytaher Hasuka i lëvizjes Vetëvendosje i cili fitoi përballë kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës Shaqir Totaj, por ashtu me një rezultat të ngushtë prej 290 votash. Komuna e Prizrenit është udhëhequr për dhjetë vjet nga Partia Demokratike e Kosovës.
Me numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë iu dha fund edhe procesit të numërimit të votave një javë që nga mbajtja e raundit të dytë të votimeve për kryetar të komunave. Pa shpalljes së rezultateve përfundimtare, partitë kanë edhe 24 orë afat për të paraqitur ankesat e mundshme të tyre.
Zgjatja e procesit të numërimit pasoi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa për të rinumëruar votat në komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit pas ankesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, të cilat kishin kërkuar që të rivlerësohen fletëvotimet e pavlefshme, fletëvotimet e zbrazëta të cilat kanë qenë në kutin e votimit dhe të numërohen të gjitha fletëvotimet e rregullta.
Por, Gjykata e Lartë e Kosovës hodhi poshtë të shtunën vendimin për rinumërim pas ankesës së lëvizjes Vetëvendosje, e cila e cilësoi të papranueshëm rinumërimin.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për pushtetin komunal që u mbajt më 19 nëntor ishte cilësuar nga organizatat vendase e ndërkombëtare si i rregullt.
Sigal