Kosova nënshkruan të martën, Marrëveshjen për Stabilizim-Asociimin, me Bashkimin Evropian

467
Një datë tjetër historike për Kosovën do jetë nesër, 27 tetor 2015, kur në Strasburg nënshkruan me Bashkimin Evropian Marrëveshjen për Stabilizim-Asociimin. Marrëveshjen, nga Bashkimi Evropian do ta nënshkruajnë Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ndërsa nga Kosova, në emër të qeverisë Kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku. Qeveria kosovare vlerëson se MSA është një prej marrëveshjeve tepër të rëndësishme që po arrihet në këtë periudhë dhe një sukses i madh i Republikës së Kosovës. “Me MSA, ne po arrijmë që të krijojmë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian për herë të parë. Me marrëveshje po përkufizohet edhe territori i Republikës së Kosovës në të cilin zbatohen rregullat e Bashkimit Evropian. Dhe, ne zhvillojmë negociata me Bashkimin Evropian në procesin e anëtarësimit tonë në BE, që në një formë e përkufizon edhe njohjen, edhe rolin që Bashkimi Evropian do të ketë ndaj Kosovës në veçanti”, është shprehur kryeministri Mustafa.

Ministri i Intergimit, Çollaku ka theksuar edhe përfitimet ekonomike nga MSA, që nënkuptojnë liberalizimin e tregut me Bashkimin Evropian në tërësi, përpos disa produkteve specifike të përfshira në marrëveshje, rritjen e investimeve direkte në Kosovë. Ai, Marrëveshjen Stabilizim Asocim e ka vlerësuar “të rëndësisë historike dhe jetike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”. Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur para dy vitesh, në 28 tetor të vitit 2013. Më 22 tetor 2015 Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. “Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së në 27 tetor në Strazburg”, theksonte me këtë rast Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës.

Në 24 tetor, nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës u miratua nga qeveria kosovare. Marrëveshja ka strukturë dhe përmbajtje të njëjtë sikur marrëveshjet e të gjitha vendeve të rajonit dhe përfshinë të gjitha elementet e një bashkëpunimi të plotë politik, ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. MSA, marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmban 597 faqe, në X tituj, VII anekse dhe 5 protokolle. Kosova, me pavarësinë e shpallur para 7 viteve, në 17 shkurtin historik 2008, është njohur deri tash nga mëse 110 shtete anëtare të OKB-së. Kosovën, nga shtetet fqinje, vetëm Serbia nuk e ka njohur ende, ndërkohë që nën kryesimin e BE-së e mbështetur nga SHBA, Prishtina e Beogardi kanë zhvilluar në Bruksel 29 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror dhe kanë arritur disa marrëveshje të rëndësishme në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Sigal